Presidenti Pendarovski konsideron se vendimet të cilat do të çonin deri në korrigjim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve dhe njerëzve, do të mund të ketë ndikim jo të favorshëm në rajon dhe të shkaktojë efekt të dëmshëm ndaj përpjekjeve gjithëpërfshirëse në periudhën pas konfliktit për rikuperim të rajonit dhe ndërtim të shoqërive të qëndrueshme dhe multietnike” kanë deklaruar nga kabineti i Pendarovskit për gazetën Ekspres.

Qëndrimi i tillë e acaroi Serbinë fqinje. Së pari, reagim i ashpër nga ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut lirisht mund të heshtë në gjuhën të cilën askush nuk e pranon, përveç Serbisë, kurse në gjuhët e tjera mund të heshtë ende më fort, sepse askush as nuk e kërkon, as nuk e pranon mendimin e tij”, deklaroi Aleksandar Vulin, Ministër i Mbrojtjes i Serbisë.

TV21 kontaktoi me Kabinetin e Pendarovskit dhe kërkoi që presidenti ta komentojë qëndrimin e Vulinit, të cilin e përcolli televizioni nacional RTS. Por, prej atje me përgjigje të shkurtër:

“Presidenti Pendarovski konsideron se ky qëndrim nuk meriton asnjë koment”, kanë deklaruar nga kabineti i presidentit Pendarovski.

Pas ministrit Vulin, me reagim doli edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Ai thotë se e ka lutur Pendarovskin në inaugurimin, të mos deklarohet lidhur me marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës. Njëkohësisht, Vuçiqi, thotë se në këtë mënyrë Shkupi i vardiset Gjermanisë, si vend më i fuqishëm në BE.

E vetmja gjë për të cilën e kam lutur ishte – kushtoni vëmendje ju lutem. Tashmë keni bërë diçka, për çka shumë vende do ta shikonin me sy të ndryshëm, e ajo është njohja e pavarësisë së Kosovës. Përpiquni që të mos flisni në këto tema. Ju lutem, kjo është nuk puna juaj, mos flisni për këtë”, deklaroi Vuçiq.

“Gazeta Ekspress” ka kërkuar qëndrim nga Pendarovski për këtë çështje pas intervistës me shefin e diplomacisë evropiane, Zhozep Borel, i cili ka porositur se është tërësisht kundër idesë për shkëmbim të territoreve. Mes të tjerash, në qëndrimin nga Kabineti i Pendarovskit për portalin prishtinas, thuhet se ai krejtësisht i mbështet angazhimet e aleatëve amerikanë dhe partnerëve të BE-së për zgjidhje të kësaj çështjeje, por njëherazi beson se është në interes të Ballkanit Perëndimor që kjo çështje të mbyllet. Sipas Kabinetit të Presidentit, vendi ynë do ta mbështesë marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, e cila ka garanci të forta ndërkombëtare./TV21