Ministri i Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, me rastin e Ditës Botërore për të Moshuarit vizitën e vazhdoi për te Pensionistët e Kosovës në Prishtinë, ku këtyre të fundit iu premtua se njohja e stazhit për pensionistët që ishin larguar nga puna në vitet e 90-ta do të rregullohet sa më shpejtë.

Reçica u shpreh se ministria që drejton dhe Qeveria, janë duke punuar për rregullimin e kësaj çështje.

“Jam zotuar para lidhjes së pensionistëve, para gjithë pensionistëve që një breng e madhe për ta siç është mosnjohja e stazhit të viteve ‘90-99 për të gjithë ata pensionist të cilët në atë kohë dhunshëm u larguan në vendet e punës, jemi të përkushtuar që këtë ta rregullojmë sa me parë që është e mundur, natyrisht duke u konsultuar dhe duke u koordinuar edhe me akterët tjerë brenda Qeverisë”, tha Reçica.

Ai u shpreh se janë në përpjekje për të gjetur zgjidhje për njohje të stazhit gjatë viteve 90-99.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale tashmë nga fundi i muajit korrik ka proceduar në Qeveri ndryshimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, plotësim ky që është paraparë të ndryshohet neni ku u ndalohet pensionistëve tanë njohja e stazhit gjatë viteve 90-99, dhe nga korriku ne jemi duke diskutuar bashkarisht edhe me kryeministrin, edhe me akterët tjerë të Qeverisë për të gjetur zgjidhje rreth miratimit, fillimisht në Qeveri, të këtij plotësim ndryshimi dhe për t’u dërguar tutje në parlament”, tha ai.

Reçica shtoi se njohja e stazhit të viteve të 90-ta, ka një kosto shtesë buxhetore.

Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi u shpreh se pensionistët nuk kanë ligj për sigurime pensionsionale dhe se po iu shkelen të drejtat.

Kajtazi gjatë këtij takimi tha se ka pensionistë që kanë punuar gjatë okupimit dhe prapë paguhen, ndërsa, ata të cilët ia kanë kundërshtuar okupatorin, sot kanë mbetur keq.

“Çështja e pensionistëve edhe përkundër përpjekjeve të ministrit dhe të qeverive të tjera, përpara ende nuk është zgjidhur. Pensionistët nuk kanë ligj për sigurime pensionale, pensionistëve iu shkelen të drejtat. Ka pensionist që për tre ditë nuk e realizon pensionin për shkak që i mungon stazhi. Është një rast i keq që ata që kanë punuar gjatë okupimit e kanë gëzuar pagën atëherë, e gëzojnë edhe tash edhe pensionin, kurse, ata që ia kanë kthyer shpinën okupatorit, sot kanë mbetur keq”, u shpreh Kajtazi.

Kajtazi luti Qeverinë dhe ministratë që t’i kushtohet kujdes më shumë moshës së tretë.

“Pra besoj që edhe Qeveria edhe ministri edhe pushtetet, edhe Kuvendi t’i kthehen moshës së tretë, ta zgjidhin këtë çështje sepse nuk mund të presim ne që asfalti me u përfunduar në krejt Kosovën sepse ne do të vdesim një ditë”, shtoi më tutje Kajtazi.