Besnik Berisha, avokat i kryetari të Istogut, Haki Rugovës ka folur për portalin rtv21.tv rreth arrestimit të këtij të fundit.

Sipas Berishës, Rugova është shoqëruar në polici me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë, për të sqaruar nënshkrimin e kontratave nga ish- nënkryetari Lulzim Blakaj.

“Nga ajo që kam perceptuar gjatë intervistimit dhe provat e ofruara nga hetuesit policorë, jam absolutisht i bindur se zoti Rugova nuk  ka bërë asnjë krim, përkundrazi ka respektuar në përpikëri ligjet për vetëqeverisje lokale, statutin e Komunës dhe ligjet e tjera në fuqi. Ndalimi i tij mund të jetë i motivuar nga gjithçka tjetër, për nuk është aspak i arsyeshëm dhe i bazuar në ligj apo në shkaqe që arsyeton Kodi i Procedurës Penale.”, ka thënë  Berisha.

Ai tutje është shprehur se Rugova është ndaluar në cilësinë e të dyshuarit, por sipas tij është viktimë e urdhëri të kundërligjshëm.

“ Pavarësisht faktit se ai sonte është në cilësinë e të dyshuarit dhe të ndaluarit, në një proces të drejtë dhe të ligjshëm do të provohet se ai është viktimë e një urdhri të kundërligjshëm për ndalim, e jo shkelës i ligjit në çështjen nën hetim. Zoti Rugova së shpejti do t’i kthehet faqebardhë familjes së tij dhe punës së tij, si kryetar i Komunës, ndërkaq prokuroria do të konfirmohet se ka mungesë të objektivitetit në interpretimin e ligjit”, ka thënë Bershia.

Sipas policisë, Rugova bashkë me dy persona tjerë dyshohet për kryerjen e veprave penale: ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘konflikti i interesit’ dhe ‘falsifikimi i dokumentit zyrtar’. “Të dyshuarit, pas intervistimit me vendim Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore në Pejë, ju është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.”,ka bërë të ditur policia./21Media