Prishtina është në zonën e kuqe të infektimit dhe kjo fundjavë e gjeti me masa më rigoroze duke rikthyer karantinën në kryeqytet dhe 6 qytete tjera kryesore të vendit. Mirëpo, ajo çfarë e alarmon pushtetin lokal është edhe numri i lartë i infektimeve në radhët e personelit shëndetësor.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, deklaroi se për dy javë janë infektuar rreth 40 punëtorë shëndetësorë. Me këtë ritëm, sipas tij, do të ketë probleme në trajtimin e pacientëve me koronavirus dhe në ofrimin e shërbimeve të tjera.

“Tani kemi arritur në shifrat rreth 40 punëtorë shëndetësorë që janë me COVID-19, derisa para dy jave nuk kishim asnjë punëtor shëndetësor dhe nëse vazhdojmë me këtë trend normalisht se do të kemi probleme me menaxhimin edhe rasteve me COVID por edhe shërbimeve të tjera të cilët qytetarët e komunës së Prishtinës kërkojnë nga institucionet e kujdesit parësor”, tha ai.

Prishtina vijon me shifra të frikshme të rasteve ditore e rrjedhimisht edhe kërkimin e ndihmës. Gashi thekson se kjo po vë në rrezik edhe ofrimin e shërbimeve esenciale në kujdesin parësor shëndetësor.

“Me rritjen e numrit të rasteve aktive në baza ditore dhe të menjëhershëm këtu është rreziku i ngecjes së ofrimit të shërbimeve esenciale në kujdesin parësor shëndetësor, edhe dytësor, edhe tretësor, normalisht se kjo shkon në formë zinxhirë se sa më i madh numri i rasteve aktive në kryeqytet dhe mbarë vendin aq më shumë janë rastet të cilat kërkojnë kujdes shëndetësor”, tha Gashi.

Aktualisht, sfidë kryesore po konsiderohet diferencimi i personave me COVID dhe atyre me virozë sezonale, për shkak tëngjashmërisë së madhe të pasqyrës klinike.

Gashi deklaron se tashmë i kanë sytë nga Ministria e Shëndetësisë që të furnizohen me vaksinën për gripin sezonal që sipas tij është premtuar se do të shpërndahet për komuna nga mesi i këtij muaji.

“E kemi parë si sezon e cila do të jetë vështirë e menaxhueshme duke marrë parasysh se kemi një kryqëzim të sëmundjeve të ndryshme virale që i takojnë kësaj zone, duke marrë parasysh edhe gripin sezonal edhe viruset e tjera të cilat janë prezentë në këtë kohë në vendin tonë. Simptomat dhe dallimi i simptomave në mes të gripit sezonal, viruseve të tjera dhe COVID-19 është minimal dhe është thuajse problem që të definohet në shikim të parë. Tani jemi në pritje të vaksinave kundër gripit sezonal të cilat presim, sipas informatave që kemi nga niveli qendror, që të furnizohemi. Na është thënë që diku nga mesi i nëntorit do të furnizohemi me vaksina kundër gripit sezonal”, u shpreh Gashi.

Në 24 orët e fundit, Prishtina ka regjistruar 316 raste të reja me COVID-19 duke detyruar Qeverinë e Kosovës që të dalë me vendime të reja për të rikthyer karantinën në kryeqytet./kp