Për herë të parë, një grua mund të drejtojë marinën më të fuqishme në botë

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka zgjedhur Admiral Lisa Franchetti për të qenë drejtuesja më e lartë e Marinës Amerikanë. Nëse konfirmohet, ajo do të jetë gruaja e parë në historinë e ushtrisë amerikane që mban këtë post.

Franchetti momentalisht shërben si zv.shefe e operacioneve detare. Ajo është pjesë e ushtrisë amerikane prej vitit 1985 dhe ka shërbyer si komandante e Forcave Detare Amerikane në Kore, si dhe në disa departamente të ndryshme të forcave detare.

“Admiral Lisa Franchetti ka 38 vite përvojë dhe shërbim të përkushtuar ndaj vendit”, tha Biden kur shpalli të premten emërimin e tij. “Përgjatë karrierës ka treguar përvojë si në fushën e politikbërjes, ashtu edhe atë operacionale. Ajo është gruaja e dytë që arrin gradën e admiralit me 4 yje në Marinën e Shteteve të Bashkuara dhe kur të konfirmohet, do të futet në histori sërish si gruaja e parë që drejton operacionet detare”.

Megjithatë, siç raporton CNN, Franchetti do të duhet të presë për të marrë konfirmimin në detyrë, për shkak të mosvotimit nga ana e senatorin republikan Tommy Tuberville, i cili kundërshton disa politika të miratuara nga administrata Biden. “I bëj thirrje Senatit të miratojë sa më shpejt të gjitha emërimet”, tha Biden të premten.

 

Back to top button