“Për inate politike po e pëson Policia e Kosovës”

Pas dështimit të seancës ku do të votohej projekt-rezoluta, për mbështetje urgjente financiare për Policinë e Kosovës, kryetari i sindikatës së policisë së Kosovës Imer Zeqiri, thotë se për inatet politike po e pëson Policia e Kosovës. Ndërkaq një pjesëtar i njësisë speciale të Kosovës, në kushte anonimiteti tha për RTV21, se këtë njësit policor e mbanë morali i lartë por që njësitet e tjera kanë situatën keq. Ndërkohë njohës të fushës së sigurisë thonë se është momenti i fundit që të bëhet diçka në këtë drejtim
Një pjesëtar i njësisë speciale të Kosovës në kushte anonimiteti për RTV21 tregoi për kushtet me të cilat përballen pjesëtarët e policisë. Vuri në dukje se ndodh në ndonjë operacion policor që një polic të jetë në detyrë 72 orë pa zëvendësim.
“Një pjesëtari të policisë në Belveder i ndodh që me javë të mos shkojë në shtëpi. Rreziku më i madh është që nuk kthehet në shtëpi fare se nuk dihet kur kërset atje. Duhesh të jesh në gjendje gatishmërie… Shtesat e rrezikshmërisë i hoqën. Por pjesëtarët e njësisë speciale të Kosovës i mban në punë morali, sepse shumica janë ish- pjesëtarë të UÇK-së. I mban atdhedashuria”, tha ai.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës në bisedë telefonike tha shkurt se për hapat e mëtejme do të dalin të premten me qëndrim.
“Ne e kemi nesër një takim raportim në këshillin për të drejtat njerëzore dhe nesër do të vendosim se çka do të bëjmë më tutje duke qenë si çështje e ndjeshme sepse ne kemi bërë këto kërkesa tash e dy muaj dhe ska asgjë në këtë drejtim është për të ardhur keq. Nesër do të marrim një vendim sepse për inatet politike po e pëson Policia e Kosovës”, tha ai.
Njohësi i sigurisë Drizan Shala, shtron nevojën për ngritje të pagave të policëve. E sheh shqetësuese mospagesën e shtesave për rrezikshmëri.
“Për të garantuar operimin policor do të duhet edhe është e domosdoshme që ta kenë pagën minimale 1 mijë euro për të garantuar efikasitetin e tyre në teren në rast se kjo qeveri aktuale nuk merret me çështjet të cilat janë kruciale duke pasur parasysh se jemi në muajin ne 9të që ata polic nuk kanë marrë shtesa për rrezikshmëri unë mendoj që kjo çështje do të jetë problematike nëse ka një rast më të zgjeruar operativ”, tha Shala.
Sipas sindikatës së policisë së Kosovës, 2129 policë hoqën dorë vullnetarisht nga uniforma, por vetëm në vitin 2023 afër 50 pjesëtar policor dhanë dorëheqje nga ky institucion për siç u tha mungesën e kushteve të punës. Ndërkohë deri tani në krye të detyrës kanë rënë 25 pjesëtarë të policisë./21Media