Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut informoi se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për organizim dhe luajtje pa pengesa të ndeshjes së futbollit nga gjysmëfinalja e Ligës së Kombeve mes reprezentacioneve të futbollit të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës më 8 tetor në Arenën Kombëtare “Todor Proeski” në Shkup.

“MPB në kuadër të kompetencave të saj, në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Maqedonisë dhe organet tjera kompetente, vepron sa i përket sigurimit të sigurisë së pjesëmarrësve. Janë ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitetet për garantimin e sigurisë së futbollistëve dhe pjesëmarrësve të tjerë që nga arritja në Shkup, gjatë ndeshjes dhe pas luajtjes së saj”, theksojnë nga MPB.

Prej atje theksojnë se në bashkëpunim me autoritetet shëndetësore janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për respektimin e protokolleve për mbrojtje nga përhapja e Covid-19.

“Njëherësh, edhe një herë, i informojmë qytetarët se, sipas rekomandimeve të Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor dhe Vendimet e Qeverisë, nuk është e lejuar prania e publikut në ndeshje. U bëjmë thirrje qytetarëve edhe që të mos organizohet ndjekje e përbashkët e ndeshjes. Vetëm me respektimin e protokolleve për mbrojtje nga përhapja e Kovid-19 do të ndihmojmë për normalizim sa më të shpejtë të situatës”, potencojnë nga MPB.

Nga ministria u bëjnë thirrje edhe grupeve të tifozëve që të mos e shkelin rendin dhe qetësinë publike.

“Grupeve të tifozëve, me të cilët pjesa më e madhe e Sektorëve për Punë të Brendshme, gjegjësisht Departamenti i Parandalimit, mbajtën takime, bëjmë thirrje që të përmbahen nga incidente, përdorim të gjuhës së urrejtjes ose shkelje të tjera të rendit dhe qetësisë publike, sepse kjo do të sanksionohet shumë rreptë”, thonë nga MPB./TV21