Për ndriçimin e fatit të të zhdukurve me dhunë sfidë mbetet mungesa e informacioneve

Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shprehu angazhimin e Qeverisë së Kosovës për ndriçim e fatit të mbi 1 mijë e 600 personave të zhdukur. Derisa, familjarët kërkojnë drejtësi për më të dashurit e tyre, nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur thonë se po punojnë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë, por që sfidë kryesore vazhdon të jetë mungesa e informacioneve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se Serbia vazhdon t’i mohojë krimet e luftës në Kosovës dhe nuk ka gatishmëri për nënshkrimin e marrëveshjes së propozuar për të zhdukurit me dhunë.
“Shteti ynë, Qeveria e Kosovës janë të përkushtuar dhe po angazhohen për të vërtetën dhe për të gjitha zhdukjet me dhunë që kanë ndodhur në Kosovë pa dallim etnie, prejardhjeje dhe komuniteti. Pas përfundimit të luftës në Kosovë në qershor 1999 u regjistruan 6 mijë e 67 persona të pagjetur sipas komitetit kombëtar të Kryqit të Kuq. Sot ende janë 1617 të pagjetur, shumica dërrmuese shqiptarë, por ka edhe serbë, romë dhe të tjerë. Të gjithëve, pra secilit duhet t’i zbardhet fati pa përjashtim, pa diskriminim. Ballafaqimin me të kaluarën e kemi vënë si kapitull të veçantë në kornizën e përgjithshme që do të duhej ta përfshinte marrëveshja finale me Serbinë. Nuk mund të ecim drejt të ardhmes pa e adresuar të kaluarën pa u ballafaquar me të. Do të donim që këtë ta bënte Serbia, pra të ballafaqohej me të kaluarën e saj e ta trajtonte seriozisht se si u bë që pas rënies së Millosheviqit u zbuluan pesë varreza të mëdha masive atje me gjithsej 950 njerëzit tanë të rrëmbyer e vrarë… Serbia vazhdon t’i mohoj krimet e luftës në Kosovë edhe 23 vite pas nuk tregon gatishmëri për nënshkrimin e marrëveshjes së propozuar që do të kontribuonte në zbardhjen e fatit të qytetarëve të Kosovës të zhdukur me dhunë”, tha Kurti.
Kurti tha se nuk do rreshtin së kërkuari drejtësi për të gjitha krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovës.
“Na duhet drejtësi për të gjitha krimet e kryera gjatë luftës dhe për çdo minutë të pritjes në ankthin më të tmerrshëm të pas luftës,. Ne nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi”, tha ai.
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti tha se fati i personave të zhdukur me dhunë nuk është agjendë politike por është mision i përbashkët i të gjithëve.
Si sfidë kryesore për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur me dhunë sipas tij mbetet mungesa e informacioneve pasi Serbia nuk po e ndërron qasjen, ndërsa dëshmitarët po vdesin.
Djali i intelektualit të zhdukur, Ukshin Hotit, tha se hapja e arkivave në Serbi mund të ndihmojë në gjetjen e fatit të personave të zhdukur.
“Sfida kryesore e jona tash është mungesa e informacionit dhe kjo po vazhdon duke u shtuar për shkak të kohës që po kalon, për shkak të dëshmitarëve që në vazhdimësi ndërrojnë jetë dhe për shkak fatkeqësisht që Serbia ende nuk ka ndërruar qasje dhe vazhdon me qasjen e njëjtë që ka qenë para 23 viteve. Serbia ende vazhdon me luajtur politikë jo vetëm me fatin e personave të zhdukur, por kryesisht me fatin e personave të zhdukur dhe ju e shihni çdo ditë në medie që Serbia heziton me dhënë informacione për vendndodhjen dhe atë që ka ndodhur me këta persona të zhdukur… Në vazhdimësi kemi kërkuar të hap arkivat e saja sekrete ato të Policisë dhe ushtrisë, sepse jemi të bindur dhe kjo nuk do të thotë që do na zgjidh problemin në tërësi por jemi të bindur se do ta ndihmon procesin goxha shumë hapja e arkivave… Vetëm gjatë tre muajve të fundit i kemi trajtuar mbi 13 lokacione në Kosovë, i kemi gërmuar 313 lokacione, 6 prej tyre janë me gjetje dhe fatkeqësisht vetëm një lokacion në Serbi sepse aq kemi pas mundësi dhe aq na ka lënë qasje Serbia, dhe ne vazhdimisht të kërkojmë trajtim të lokacioneve të tjera në Serbi dhe në Kosovë i kemi agjendat e parapara që në muajt në vazhdim të trajtohen edhe 5 lokacione të tjera”,
Ahmet Grajqevci nga Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës tha se adresa kryesore për të ndriçuar fatin e të pagjeturve me dhunë është Serbia.
“Ne vazhdojmë krimi ka vetëm një emër, krim edhe krimineli ka emër dhe mbiemër, por edhe shteti ka emër është shteti serb ai i cili kreu të gjitha këto krime dhe kidnapime të personave tanë. Ne e dimë që Serbia ka marr të gjallë dhe të vdekur ne e dimë rrugëtimin e tyre, por nuk e dimë vendndodhjen dhe qëndrimin e tyre këtu është shumë e rëndësishme sepse adresa është Beogradi…çështja e personave të zhdukur të luftës me dhunë t’i kushtëzon në takimet në bisedime fjala që është më e rëndësishme është kërkimi i ambasadorëve i ndërkombëtare që t’i bëjë një trusni mbi shtetin serb për të deklaruar se ku janë varrezat masive ne po biem në kontakt me njerëz serb që na tregojnë që janë këtu e aty, por janë të frikësuar ”, tha Grajqevci.
Flaka Zogu vajza e të zhdukurit, Bali Zogu mes lotësh tha se pajtimi Kosovë-Serbi kërkon qetësi, e sipas saj nuk mund të ketë qetësi kur ka kaq shumë plagë të hapura të cilat i shëron vetëm drejtësia.
Zogu e cila ishte nëntë muajshe kur iu zhduk babai tha se tash pas 23 vitesh ka humbur shpresën se babai i saj do të kthehet i gjallë.
“Kishte qenë një ëndërr që e kisha parë para 1 viti ishte ëndrra që më ktheu shpresën që një ditë do të trokasë në derën e shtëpisë ton një lajm për babain, shpresën që pas 23 vitesh të zhdukjes së tij pothuajse e kam humbur. Trokitjet në dyert tona janë goditje në zemrat tona, ne çdo ditë presim trokitjen pas të cilës do të pasojë një lajm për babain por kot. Këtë problem që assesi nuk po merr zgjidhje mundohemi ta konsiderojmë si të kryer nëpër ëndrra dhe mundohemi që ato ëndrra t’i interpretojmë qoftë si parashikime se çfarë do të ndodh apo si mesazhe siç mund të na vijnë…Sot më vjen keq për vetën se si shteti yt të hap plagën duke menduar se po të ndihmon u votuan të gjitha ata libra shkollor pas luftës dhe askujt si shkoi në mendje se mijëra fëmijë të një gjenerate kanë humbur prindërit në luftë si do të ndihen kur në mesin e shumë detyrave që do të duhej të bënim ishte të shkruheshin veçoritë e të dy prindërve. Askush se mendoi se njëra faqe e librit do të mbetej e zbraztë”, tha Zogu.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani kanë bërë homazhe te memoriali i të pagjeturve në Prishtinë, ndërsa Kurti i shoqëruar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ditën e sotme e ka nisur me vizitë në shtëpinë muze të Ferdonije Qerkezi.
Në Kosovë janë të zhdukur me dhunë edhe mbi 1600 persona./kp

Back to top button