Ashtu siç lexoni me kujdes etiketat e ushqimeve, duhet të lexoni edhe ato të produkteve të bukurisë për të qenë të sigurt se çfarë vendosni mbi lëkurën e trupit dhe fytyrës. Kremi hidratues i trupit për shembull, nuk duhet të mungojë pas çdo dushi, veçanërisht në verë kur lëkura është me nxirë dhe më e etur. Për një produkt me cilësi shumë të lartë dhe çmim të arsyeshëm, mund ta përgatisni vetë atë.

Kremi hidratant i trupit është i thjeshtë për t’u përgatitur, mjafton të blini përbërësit në një dyqan me produkte bimore ku keni më tepër besim. Këtë krem mund ta ruani në një vend të freskët dhe të thatë deri në tre muaj nga koha e përgatitjes. Për ta përgatitur do t’ju duhen:

70 gr gjalpë karitè

50 gr xhel aloe vera

Një lugë kafeje vaj kokosi

Ja hapat për ta realizuar:

Vendosni në një kavanoz gjalpin e karitesë i cili është i pasur me vitamina, antioksidantë, kripëra minerale dhe është shumë hidratues falë prezencës së acideve yndyrore.

Shtoni xhelin e aloe verës dhe përziejini mirë dy përbërësit derisa të jenë një i vetëm. Aloe vera është qetësuese dhe freskuese, sidomos nëse ju ka kapur dielli.

Shtoni vajin e kokosit i cili përveçse është shumë hidratues, do të lërë një aromë shumë të mirë ekzotike në lëkurën tuaj.

Përziejeni fort derisa të bëhet një masë e lehtë.

Kremi juaj është gati. Mbylleni vazon me kapak dhe përdoreni të paktën njëherë në ditë.