Kuvendi Komunal i Prishtinës sot ka futur në rend dite dhe ka votuar propozimin e grupit të Partisë Demokratike të Kosovës për ofrimin e transportit publik pa pagesë prej muajit nëntor deri në muajin mars, për shkak të nivelit të lartë të ndotjes së ajrit në kryeqytet dhe përhapjes së COVID-19.

Propozimi ka kaluar me 22 vota për, 7 kundër dhe 1 abstenim.

“Meqenëse bileta e autobusit aktualisht kushton 40 cent për një drejtim, pra 80 cent për vajtje-ardhje dhe familjet tona i kanë mesatarisht 4 anëtarë atëherë i bie që një familje të shpenzojë 3 euro e 20 cent brenda një dite për transport publik ose 96 euro brenda një muaji apo 384 euro për 4 muaj. Sa i përket kostos dhe mbulimit të biletave të qytetarëve, për muajin nëntor, dhjetor, janar, shkurt, do të jetë një kosto prej 1.262.986 euro, analize e nxjerrur nga Shpenzimet e transportit Publik për kilometër të mbuluar nga Buxheti i Komunës së Prishtinës. Apo për 9 muajt e kaluar komuna veç se ka mbuluar një shumë prej afër 3 milionë euro për transportin publik. Këto mjete mund të merren nga Kategoria e mallrave dhe shërbimeve, ku deri me tani kemi vetëm 57% e buxhetit te shpenzuar, pra më mirë është që të ndahen mjete për të paguar biletat e qytetareve të Prishtinës, sesa ato të përfundojnë si zakonisht si teprice Buxhetore”, thuhet në arsyetimin e propozimit të PDK-së.

PDK në Prishtinë konsideron që implementimi i këtij projekti shkarkon trafikun e kryeqytetit, mbron ambientin, kursen kohën dhe xhepin e qytetarëve./21Media