Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Kosovës në Holandë, Lirim Greiçevci, me të cilin ka diskutuar mbi të rejat e fundit nga Specialja.

Cakaj është shprehur se për Tribunale Ndërkombëtare e Gjykata Speciale ka nevojë Serbia për të gjitha mizoritë e kryera në Kosovë, e jo Kosova për luftën e saj çlirimtare.

“Krimet e luftës në Kosovë janë hetuar e gjykuar nga UMNIK-u, EULEX-i, Tribunali i Hagës, drejtësia vendore. Gjykata Speciale, pra, jo vetëm merr përsipër të hetojë e gjykojë sërish një palë që ka mbyllur kusuret me drejtësinë ndërkombëtare për dy dekada radhazi, por edhe e bën këtë në mënyrë krejtësisht të njëanshme duke vënë në shënjestër vetëm strukturat e UÇK-së dhe Kosovës në përgjithësi. Kjo qasje, pra, s’ka fare lidhje as me të vërtetën, as me drejtësinë. Kaq.”, ka shkruar Cakaj në facebook.

Ai ka shtuar se ndërkombëtarët qëndrojnë të heshtur ndaj krimeve të Serbisë në Kosovë.

“Ndërkohë, krimet kundër njerëzimit, spastrimi etnik dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë, jo vetëm që nuk janë hetuar e gjykuar mjaftueshëm, por sot ato përgjithësisht nuk përmenden fare dhe bashkësia ndërkombëtare kryesisht qëndron e heshtur para tyre.”, ka shkruar Cakaj.

Ai ka theksuar se historinë e Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve, nuk mund ta shkruajë askush.