Për VMRO-DPMNE-në dhe koalicionin “Ripërtëritja e Maqedonisë” periudhë më e mirë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është mesi i korrikut. Këtë e pohon kreu i partisë opozitare Hristijan Mickoski, duke shtuar se 5 dhe 8 korriku i propozuar nuk është opsion dhe as nuk vjen parasysh.

Dy kushtet e DPMNE-së për mbajtjen e zgjedhjeve janë vendosja e protokolleve për ditën e zgjedhjeve si dhe prania e misionit mbikëqyrës të zgjedhjeve OSBE/ODIHR. Mickoski kërkon që misionet ndërkombëtare të jenë të pranishme në vend një ditë para se të nis fushata zgjedhore.

“Patjetër para se të fillojë fushata këto misione të jenë të pranishme në Maqedoni. Në bazë të asaj që ata e thonë, ata nuk do të jenë të pranishëm nëse fushata fillon nesër ndërsa zgjedhjet të mbahem më 5 korrik, sepse konkursi ende nuk ka përfunduar; ose nëse kampanja fillon të mërkurën, ndërsa zgjedhjet mbahen më 8 korrik” tha Mickoski, raporton TV21.

“Po çfarë nëse nuk vazhdohet gjendja e jashtëzakonshme dhe partia në pushtet vazhdon me këmbënguljen e saj për dy datat e propozuara?” u pyet Mickoski nga gazetarët.

“Atëherë pajtohem me Presidentin Pendarovski që përskaj krizës shëndetësore dhe ekonomike do të kemi edhe krizë serioze politike. VMRO-DPMNE nuk do të jetë pjesë e atyre zgjedhjeve, as më 5 e as më 8 korrik” u shpreh Mickoski.

Për hapat e mëtejshëm që DPMNE-ja do të ndërmarrë, Mickoski tha se do të merren vesh më tej, pas mbledhjes së Komitetit Qëndror të partisë./21Media