Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginë urojnë Pavarësinë e Kosovës
Me rastin e 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, pritën në vizitë Shaip Kamberin, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik dhe shef i Grupit parlamentar “Lugina e Bashkuar-SDA” në Kuvendin e Serbisë, kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, deputetët shqiptarë në Kuvendin e Serbisë, Naide Beqiri e Argjend Bajrami, këshilltarin komunal të Medvegjës, Fehmi Beha, kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh), Ragmi Mustafa dhe Arben Ferati, përfaqësues i Medvegjës në KKSh.
Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të tri komunave i uruan Kurti përvjetorin e pavarësisë, duke i uruar suksese të mëtejme në qeverisje. Dita e Pavarësisë së Kosovës është festë e veçantë jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, u shprehën ata.
Në takim u diskutua gjendja e të drejtave të njeriut në tri komunat dhe nevoja për më shumë angazhim dhe unitet të politikanëve dhe të subjekteve politike. Theks të veçantë në bisedë pati pasivizimi i vazhdueshëm i adresave të banorëve shqiptarë të Medvegjës, duke i lënë kështu qindra shqiptarë pa dokumentacion as të Serbisë e as të Kosovës
Me qëllim të ruajtjes së marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit institucional për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve, kryeministri Kurti dhe kabineti qeveritar kanë komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me përfaqësuesit politikë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit./21Media