Shega është një nga frutat më të shijshëm, që ofrojnë shumë vlera ushqyese. Ajo konsiderohet si një nga frutat më të shëndetshëm, sidomos nëse konsumohet gjatë stinës së dimrit.

Krahas lëngut të freskët të shegës, mund ta përgatisni edhe uthullën e shegës, e cila gjithashtu ka vlera të larta ushqyese për sistemin tretës, përthithjen e kalciumit në organizëm, uljen e nivelit të kolesterinës dhe tensionit të gjakut si dhe zhbllokimin e arterieve.

Sistemi tretës

Uthulla e shegës është e pasur me acid acetik që ndihmon sistemin tretës duke rritur aftësinë e organizmit për të përthithur ushqyesit e dobishëm nga ushqimet që konsumojmë.

Shtoni uthullën e shegës në sallatën tuaj të preferuar ose pijeni atë duke tretur një deri në 2 lugë gjelle uthull shege në një gotë me ujë dhe konsumojeni përpara ose gjatë vakteve.

Përthithja e kalciumit

Njerëzit që vuajnë nga intoleranca ndaj produkteve të bulmetit kanë nevojë për burime alternative të kalciumit siç janë: spinaqi, brokoli ose hudhra.

Nëse shtoni një pikë uthulle të shegës në këto ushqime, trupi do të përthithë kalciumin më lehtë se zakonisht.

Kolesteroli dhe tensioni i gjakut

Studimet tregojnë se, uthulla e shegës mund të ulë kolesterolin dhe tensionin e gjakut.

Në mënyrë indirekte, uthulla e shegës ndihmon në uljen e shanseve të shfaqjes së sëmundjeve të zemrës dhe goditjeve në tru.

Zhbllokon arteriet

Studimet thonë se uthulla e shegës mund të jetë një kurë për arteriet e bllokuara, hipertensionin dhe qelizat e dëmtuara.

Përgatitja uthullës së shegës është shumë e thjesht. Pasi t’i shtrydhni kokrrat e shegës, hidheni lëngun në një enë qelqi. Mbajeni në frigorifer për dy ditë, derisa kokrrat bien në fund të enës. Filtrojeni lëngun dhe mbulojeni qelqin me llastik. Enën duhet ta ruani në një hapësirë të errët për 30 ditë, derisa të fermentohet.

Më pas filtrojeni për të dytën herë. Lëngu i përfituar duhet të fermentohet sërish për dy javë të tjera. Në fund të këtij procesi duhet ta filtroni uthullën e përfituar për një herë të fundit.