Në Zyrën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë, për të tretën ditë me radhë, u intervistua presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Pas intervistimit, që zgjati gjashtë orë, Thaçi nuk u prononcua për media.

Intervistimi i Thaçit do të vazhdojë gjatë së enjtes, raporton televizioni publik.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se më 24 prill ka bërë një propozim-aktakuzë për krime të supozuara lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publik.