Përfundojnë pa marrëveshje bisedimet për ribashkimin e Qipros

“Konferenca e Qipros”

Bisedimet e fundit që synonin ribashkimin e Qipros kanë përfunduar pa marrëveshje. Komunitetet e qipriotëve turq dhe atyre grekë, janë ndarë që nga shpërthimi i konfliktit në vitin 1974. Një zonë neutrale e Kombeve të Bashkuara i ndanë të dyja palët.

Një rund bisedimesh të mbështetura nga Kombet e Bashkuara në Zvicër, që nisën në muajin janar, u konsideruan si shansi më i mirë drejt krijimit të një federate prej dy shtetesh. Por, pavarësisht shenjave të progresit, negociatat u bllokuan për tu pezulluar sot, shkruan rtv21.tv

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres u tha gazetarëve se pavarësisht zotimit dhe angazhimit të të gjitha delegacioneve dhe palëve të ndryshme, konferenca e Qipros u mbyll pa marrëveshje.

Ai e bëri këtë njoftim vetëm disa orë pas takimeve që kishte zhvilluar me presidentin e qipriotëve grekë, Nicos Anastasiades dhe atë të qipriotëve turq Mustafa Akinci, si dhe pas telefonatës së zëvendës presidenti amerikan Majk Pens u kishte bërë liderëve të cilëve u kishte kërkuar që ta rrëmbejnë këtë mundësi historike.

Në fillim të bisedimeve Guterres tha se ishte optimist për arritjen e një marrëveshjeje mes palëve.

Një nga pikat më kundërthënëse të negociatave ishte nëse 30 mijë trupat turke do të mund të qëndronin në terren edhe pas ribashkimit të vendit. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se largimi i këtyre trupave nuk do të konsiderohet përveç nëse edhe Greqia zotohet ti largoj nga terreni 1 mijë trupat e saj.

Një tjetër pengesë e marrëveshjes ishte edhe çështja e mënyrës së rikthimit të pronave për dhjetëra mijëra qipriotët të cilët u larguan nga shtëpitë e tyre kur Turqia e pushtoi pjesën veriore të ishullit në vitin 1974. Ky pushtim ishte kundërpërgjigje ndaj një grusht shtetit ushtarak ndaj ishullit, i mbështetur nga qeveria e Athinës./21Media

Back to top button