Përfundon aksioni i Prokurorisë Themelore në Prishtinë në ARBK, vlera e dëmit rreth 50 mijë euro

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se ka përfunduar aksioni i nisur që nga orët e hershme të mëngjesit në Agjencinë për Regjistrimin e Biznesve.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurat me inicialet I.R.J. F.L., dhe A.I.K., në cilësinë e personave zyrtarë në ARBK, dyshohen për veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, të cilat duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin, me dashje dhe me qëllim kanë ndërmarrë veprime të kundërligjshme në mënyrë që personi me inicalet I.B., të përfitoj dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme.
Sipas dyshimeve, ato kanë bërë ndryshimin e pronësisë së aksioneve të kompanisë ‘’N.K.W.P’’ ’’Sh.P.K’’ në vlerë mbi 50 mijë euro.
“Me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarat janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftim.
Në mesin e të dyshuarave është edhe ushtruesja e detyrës së kryeshefes së ARBK-së, Igballe Rexha-Jashari.
Ministria doli më herët me reagim, ku u tha se aksioni është zhvilluar në kuadër të hetimeve që po zhvillohen lidhur me një rast që ka të bëjë me ndryshimin e pronësisë së një biznesi pas vdekjes së pronarit.
“Ju njoftojmë se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe vendimeve gjyqësore relevante, stafi i ARBK-së ka konstatuar muaj më parë se kishte ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor. Si rrjedhojë, ky interpretim është korrigjuar përmes procedurave përkatëse ligjore dhe administrative”, thuhet në njoftim.