Është shënuar sot ceremonia mbyllëse e Festivalit të 1-rë Ndërkombëtar të Filmit Sportiv “Prishtina 2020” i organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

Në këtë eveniment sportiv morën pjesë ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani.

Në fjalimin e tij, Hasani, theksoi se gjatë këtyre tre ditëve janë shfaqur 31 filma, 19 prej të cilëve kanë qenë ndërkombëtar dhe 12 nga Kosova duke shtuar se ky festival tani e tutje do të jetë tradicional. Ai po ashtu ka shtuar se 7 prej këtyre filmave do të shkojnë në konkurenc ndërkombëtare dhe do të shfaqen në Milano prej datës 7 deri 11 nëntor.

“Gjatë këtyre tre ditëve janë shfaqur 31 filma, 19 prej të cilëve kanë qenë ndërkombëtar dhe 12 nga Kosova, me tematikë nga Kosova dhe po besoj se të gjithë ata që kanë pasur rast dhe mundësi për t’i shikuar këta filma kanë mbetur të kënaqur. Tani e tutje kjo ngjarje do të jetë tradicionale sepse këta filma do të shkojnë edhe në konkurrencën ndërkombëtare. Shtatë prej këtyre që janë shpallur nga 12 të Kosovës do të jenë në Milano prej datës 7 deri 11 nëntor 2020”, tha Hasani.

Ndërsa, ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, theksoi se ky festival ka një rëndësi të madhe për Kosovën dhe se ministria të cilën ajo e udhëheq do ta përkrah vazhdimisht dhe duke bashkëpunuar me Komitetin Olimpik të Kosovës. Ajo theksoi se pas luftës ka pasur një avancim shumë të madh duke investuar në infrastrukturën sportive si dhe në ndërkombëtarizimin e sportit përmes futbollit dhe krenarisë ton, xhudistes Majlinda Kelmendi. Ajo gjithashtu tha se përmes këtij festivali do të dokumentohet sporti i Kosovës.

“Më vjen mirë që kemi filluar me këtë nismë, unë e përshëndes dhe do të jem pjesë direkte duke bashkëpunuar dhe kemi bashkëpunim shumë të mirë me Komitetin Olimpik dhe me të gjitha federatat sportive në Kosovë. Festivali i parë ndërkombëtarë i filmit sportiv ka një rëndësi të madhe sidomos për Kosovën e cila ka kaluar etapa të ndryshme dhe në të gjitha etapat jemi veçuar me sportistë të mirë…. Pas luftës ka pasur një avancim shumë të madh duke investuar në infrastrukturën sportive, por gjithashtu edhe me ndërkombëtarizimin e shumë federatave të cilat marrin pjesë me lojrat e tyre, duke filluar nga futbolli, pastaj numër i madh, diku 20 e përtej dhe krenaria jonë më e madhe ka qenë Majlinda e cila në Olimiad doli e para, kështu që të gjithë jemi krenarë me sportistë tanë në përgjithësi. Festivali i filmit ndërkombëtarë është i rëndësishëm sepse ka me u dokumentu sporti i Kosovës dhe do të jetë në pjesën garuese ku do të paraqiten shtatë filma tanë ndërkombëtarë dhe unë besoj se edhe këtu do të fitojmë”, deklaroi Dumoshi.

Në fund, Dumoshi dhe Hasani e mbyllën edhe zyrtarisht para të pranishmëve Festivalin e 1-rë Ndërkombëtar të Filmit Sportiv “Prishtina 2020.