Ka përfunduar takimi mes të kryeministrit, Avdullah Hoti dhe disa përfaqësuesve të partive politike.

Hoti e ka njoftuar sot Forumin e partive politike për ecurinë e deritanishme të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili, siç ritheksoi ai, duhet të përfundojë me normalizim të marrëdhënieve në mes dy vendeve dhe me njohje reciproke.

“Me këtë rast, kryeministri Hoti shtjelloi ecurinë e deritanishme të procesit të dialogut, duke nisur që nga Samiti i Parisit, mbajtur më 10 korrik 2020 nëpërmjet video-konferencës, në të cilin morën pjesë Presidenti Macron, Kancelarja Merkel, Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme i BE-së Borrel, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Lajçak dhe presidenti serb Vuçiq, video-konferenca e datës 12 korrik 2020, në mes kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë, e udhëhequr nga z. Borrel dhe z. Lajcak, deri te takimi i fundit me presidentin serb në Bruksel, që është mbajtur më datë 16 korrik 2020, po ashtu me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të lartë të BE-së”, thuhet në një komunikatë për media

Hoti ka ritheksuar se i tërë procesi i dialogut do të jetë  transparent.

Sipas komunikatës, të gjithë përfaqësuesit e partive politike në këtë forum, i dhanë mbështetje kryeministrit Hoti dhe Qeverisëpër procesin e dialogut politik me Serbinë.

Këtë takim e refuzuan dy partitë opozitare, LVV-ja dhe PDK-ja./21Media