Përfundon transferimi, 500 ushtarë turq nisin misionin e ruajtjes së paqes në Kosovë

Ka përfunduar transferimi i 500 ushtarëve turq të NATO-s për në Kosovë.

Transferimi i një batalioni komando u bë pas kërkesës së Komandës së Forcës së Përbashkët të NATO-s, për shkak të dhunës në rritje në veri, e cila rezultoi me pothuajse 40 ushtarë të NATO-s të lënduar, si pasojë e dhunës së protestuesve të serbëve lokalë.

Ushtarët u pritën nga ambasadori turk në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı, ndërsa më pas kaluan në kazermën “Sulltan Murat”.

Pas bisedimeve me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan në Stamboll të dielën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg falënderoi Turqinë për dërgimin e përforcimeve në Kosovë.

Stoltenberg tha: “Turqia është një aleate e rëndësishme dhe shumë e vlerësuar, duke dhënë kontribute kyçe në NATO. Këtu përfshihen trupat për misionin tonë paqeruajtës në Kosovë, gjë që është edhe më e rëndësishme tani, kur tensionet janë të larta. Falënderoj Turqinë për dërgimin e përforcimeve në veri të Kosovës, pas trazirave të fundit”.

Në takimin jozyrtar të ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo javën e kaluar, Sekretari i Përgjithshëm tha se mesazhi i NATO-s si për Beogradin ashtu edhe për Prishtinën është se ata duhet të angazhohen në mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. /21Media

Back to top button