Vetëm PDK e VV me kandidatë për kryetarë të katër komunave në veri

​Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur afatin për aplikim në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, janë 6 parti të cilat kanë aplikuar për certifikim, por jo edhe Lista Serbe.
Sipas Elezit, partitë që kanë aplikuar janë: PDK, VV, Iniciativa Qytetare Mitrovica, Partia Kosovskih Serbia, Iniciativa Qytetare Sprski dhe një kandidat i pavarur.
“Ka përfunduar periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në katër komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Gjatë kësaj periudhe (15 nëntor – 25 nëntor 2022), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 6 kërkesa për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 18 dhjetorit, si në vijim: Iniciativa Qytetare Mitrovica ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut; Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për certifikim në zgjedhjet e katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok; Partia Kosovskih Srba ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Leposaviqit. Një kandidat i pavarur; Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për certifikim në zgjedhjet e katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok; Iniciativa Qytetare Srpski Opstanak ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut.” – tha Elezi.
Sipas Elezit, të hënën do të bëhet edhe certifikimi i kandidatëve për kryetar të këtyre komunave, pas verifikimit se të njëjtit i kanë plotësuar të gjitha kushtet për kandidim.
“Neni 29 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme tregon se kush mund të jetë kandidat i certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje, përveç disa rasteve, pra: nëse është gjykatës apo prokuror; pjesëtar i FSK-së, doganës, i AKI-së, përfaqësues diplomatik apo pjesëtar i PZAP-it. Gjithashtu, KQZ-ja do të komunikojë edhe me Këshillin Gjyqësor të Kosovës për të verifikuar nëse ndonjë nga kandidatët është i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit, apo me vendim të gjykatës i është hequr e drejta për të qenë kandidat. Sipas afateve të miratuara nga KQZ-ja, procesi i vendimmarrjes për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve do të ndodhë deri më 28 nëntor.” theksoi Elezi.
Shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe është bërë si pasojë e dorëheqjes së kryetarëve të tyre, në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me targat ilegale.

Back to top button