“Përkundër trendit alarmant, qeveria refuzoi trajtimin e ligjit anti-covid duke e konsideruar të panevojshëm”

 

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, sot reagoi pas konfirmimit nga IKSHPK për 300 rastet vdekjeve të personave të prekur nga Covid-19 në vendin tonë. Osmani u shpreh përmes facebook-ut se secila vdekje ka një histori të trishtë.

Ajo shtoi se duhet të mësohet nga historia e secilit dhe të zbatohen rekomandimet.

“Sot u shënua shifra e dhimbshme prej 300 jetësh të humbura; 300 ëndrra njerëzish u fikën në betejën kundër COVID-19. Prapa secilit nga këta numra qëndron një histori e trishtë, zbrazëtia e pafund që e lanë në shpirtrat e të dashurve, që nuk mund të plotësohet asnjëherë! Por, dhimbja jonë mund të rritet ditë pas dite, e shifrat si këto të trokasin në ndërgjegjen tonë. Prandaj sot, kur nuk dimë si do të duket epilogu i këtij kapitulli të hidhur, duhet të mësojmë nga historia e secilit, të mbajmë distancë për hir të tyre, të vendosim maska mbrojtëse dhe ta ruajmë higjienën personale! Ta pranojmë sintagmën “një herë në shekull”, dhe ta mposhtim pandeminë me kurajo e kujdes ndaj njëri-tjetrit. Të përmbahemi atëherë kur dielli na provokon e natyra na thërret.”, shkroi Osmani në facebook.

Kryeparlamentarja shtoi se ne duhet të bëhemi mburojë e sistemit shëndetësor. Ajo kritikoi qeverinë për refuzimin e trajtimit të ligjit anti-covid.

“COVID-19 ka shtruar nevojën urgjente të qeverive për ta rritur gatishmërinë në menaxhimin e situatës. Përkundër trendit alarmant, qeveria refuzoi trajtimin e ligjit anti-covid duke e konsideruar të panevojshëm, refuzoi buxhet për maska mbrojtëse dhe vaksina, ankohet se nuk ka mjaftueshëm shtretër përderisa prioritizon investime jo të domosdoshme infrastrukturore apo pagesa për fatura për avokatët e Gjykatës Speciale.”, shkroi më tutje Osmani dhe shtoi se sot duhet të kemi mobilizim.

“T’i zvogëlojmë vuajtjet dhe ta rrisim shpresën!”, shkroi më tutje Osmani.

Në Kosovë nga Covid-19 janë infektuar 9 mijë e 688 persona, 5 mijë e 480 janë shëruar, ndërsa, 300 persona të prekur me Covid-19 kanë vdekur./21Media

Back to top button