Klinika e Emergjencës sonte ka dhënë detaje për gjendjen e personave që janë lënduar në përleshjen e sotme ndërmjet policisë dhe disa qytetarëve në Fushë Kosovë.

Mjeku kujdestar në Emergjencë, Ejup Govori ka thënë për Kp se pasditen e sotme janë sjellë dy zyrtarë policorë në gjendje stabile dhe disa civilë të lënduar ku këta të fundit janë pranuar në Klinikën e Ortopedisë, por që edhe ata janë në gjendje stabile.

“Në Emergjencë janë sjellë dy policë të lënduar në gjendje stabile. Tri raste janë të lënduar civilë, dhe dy të plagosur në ekstremitete të poshtme, por edhe këta janë civilë. Pra, janë pesë civilë dhe dy policë. Dy policët janë liruar në shtëpi dhe tre të lënduarit kanë pasur lëndime të lehta. Dy të plagosurit janë pranuar në Klinikën e Ortopedisë për trajtim të mëtutjeshëm. Gjendja e tyre është stabile. Këta të tre janë lënduar në përleshje me policinë dhe janë liruar, dhe sigurisht janë arrestuar nga policia”, ka thënë ai.

Mesditën e sotme në Fushë Kosovë ka ndodhur një përleshje fizike mes zyrtarëve policorë dhe qytetarëve për shkak të një gjobe të shqiptuar ndaj një pronari të një qebaptoreje.

Ndërkohë, policia ka shkrepur me armë zjarri. Deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar, derisa gjashtë persona janë intervistuar në stacionin policor.