E shembën Teatrin Kombëtar. Natën. Në kohë pandemie. Zgjodhën orën 04:30 e mëngjesit të së dielës, kur i gjithë qyteti dremit. Qindra forca policie, e RENEA me kapuçë të zinj mësynë teatrin. Nxorrën zvarrë aktorët nga ambientet e Teatrit dhe më pas i vunë ruspën, raporton oranews.

Një veprim i tillë ndermerret kur vendimet e qeverisë dhe të bashkisë janë paditur si antikushtetuese dhe antiligjore ne Gjykaten Kushtetuese por dhe në SPAK. 

Presidenti Ilir Meta deklaron: “MAFIA urdhëroi shkatërrimin, jo vetëm të një prej monumenteve të trashëgimisë kulturore më të rrezikuara të Europës, por edhe të çdo iluzioni për ekzistencën e shtetit të së drejtës në Shqipëri.”

Ndërkohë kryeministri Rama përmes një video ne facebook deklaron se ata që ngrihen kundër nuk duan zhvillimin. 

Prej orëve të mëngjesit situata është e tensionuar në hyrje të bulevardit ku dhe policia ka vendosur kordon dhe herë pas here ka përpasje me protestuesit. Ndërkohë policia ka shoqëruar deri tani mbi 20 persona, mes tyre aktore, përfaqësues të shoqerisë civile dhe ish deputetë të opozitës.