Sonte në Prishtinë përfundoi “Rolling Film Festival”, i cili është i vetmi në nivel evropian që promovon artin dhe kulturën rome nëpërmjet filmave dhe veprave tjera artistike të prodhuar nga komuniteti rom që trajtojnë tema rreth këtij komuniteti.

Në ceremoninë përmbyllëse u nda çmimi “Young Talent Award” për dy të rinj, të cilët do të fitojnë punë praktike në një kompani për animim.

Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti tha se romët në Kosovë janë pjesë përbërëse e shoqërisë me të drejta të barabarta e të garantuara, por edhe me probleme të shumta, sikurse edhe një pjesë e mirë e komuniteteve tjera.

Ai shtoi se arsimi, punësimi, pjesëmarrja dhe integrimi janë problemet që e shoqërojnë komunitetin rom e të cilat duhet të zgjidhen së bashku.

Drejtori i këtij festivali Avni Krasniqi për KosovaPress tha se qëllimi i këtij festivali ka qenë që të promovohet kultura rome dhe përmes filmave që janë shfaqur në këtë festival të tregohet se me çfarë ballafaqohen qytetarët e komuniteteve rom, egjiptian dhe ashkali në Kosovë.

Drejtori i “Rolling Festival” përmendi edhe problemin e papunësisë me të cilën përballet komuniteti rom.

Edicioni i 6-të i “Rolling Film” si tematikë kishte “Gojëdhënat – Realiteti i ri” nëpërmjet filmave dhe aktiviteteve, ku u trajtuan tema rreth jetës së komunitetit rom duke adresuar gojëdhënat të cilat kanë ndërtuar një realitet të hidhur për komunitetin duke shtresuar paragjykimet, stereotipet ndaj këtij komuniteti.

Por në anën tjetër po ashtu, u prezantua edhe realitetin në të cilin jeton komuniteti, i cili për shumë njerëz mund të tingëllojë si përrallë.

Përtej kësaj, përgjatë ceremonisë u nda edhe çmimi “Young Talent Award” për dy të rinj, të cilët do të përfitojnë punë praktike në kompaninë për animim – Flamorum.

Fituesja e parë e këtij çmimi ishte Blerina Bytyqi, dhe fituesi i dytë Ardian Krasniqi.

Në kuadër të ceremonisë u shfaq edhe filmi animuar “Tregimi i diellit dhe hënës”, në regji të Szoboszlay Eszter, dhe filmi “Gypsy Quenn” në regji të Huseyin Tabak.

Të gjithë filmat e festivalit do të vazhdojnë të shfaqen deri më datë 27 prill nëp uebfaqen online.rollingfilm.org, ndërsa mund të shihen nga këto shtete: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Serbi.

Ndryshe, “Rolling Film Festival” është projekt i OJQ Roma Versitas Kosovo dhe Romawood.