Kryeministri Avdullah Hoti është përplasur verbalisht me nënkryetaren e Kuvendit Arbërie Nagavci.

Duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Nagavci e ka akuzuar Qeverinë Hoti se në marrëveshjen e 4 shtatorit e kanë barazuar çështjen e të pagjeturve shqiptarë me atë të të zhvendosurve serbë, duke i lejuar Serbisë që të largohet nga përgjegjësia mbi të pagjeturit, si dhe duke i krijuar hapësirë për kolonizim.

Ajo i ka thënë Hotit se i kanë barazuar të zhdukurit, viktimat e gjenocidit që Serbia kreu mbi popullin tonë, me të zhvendosurit dhe siç ka thënë ajo “viktimat me kriminelët potencialë”.

Kjo deklaratë ka nxitur reagimin e kryeministrit, i cili ka thënë se deklarimi i Nagavcit është më i ligu që ka dëgjuar gjatë tërë prezencës së tij në institucione.

Më pas Nagavci ia ka kthyer Hotit duke i thënë se nënshkrimi i marrëveshjes më 4 shtator nga ana e Hotit është i ligë dhe i turpshëm.

I ligë dhe i turpshëm është kur keni nënshkruar në Washington kur keni barazuar të pagjeturit me të zhvendosurit”, ka thënë Nagavci, duke shtuar se “nuk ju ndërhyra në rastin që më thatë duhet me të ardhur turp sa flisja, mirëpo është mirë t’i dëgjoni nënat“./21Media