Zëvendëskryeministri në detyrë Driton Selmanaj, ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të ri të LDK-së, Lumir Abdixhiku, se ka marrë mbështetje të plotë në propozimin e tij për të takuar kandidaten për presidente nga radhët e listës së Vetëvendosjes, Vjosa Osmani.

Selmanaj ka thënë se çdo përpjekje për ta diferencuar Vjosa Osmanin nga Albin Kurti dhe Vetëvendosja, është përpjekje “për transferim të votës tek projekti i këtij binomi të dëmshmëm politik”.

“Çdo përpjekje për ta nda apo diferencuar Vjosen nga Albini dhe Vetëvendosja, është përpjekje për ta transferu mashtrueshëm votën tek projekti i këtij binomi të dëmshëm politik. ‘Turri dhe vrapi’ për ta takuar Vjosën, nuk është asgjë tjetër pos turr për ta rrëzuar edhe më shumë LDK dhe dinjitetin e 110 mijë votuesve QËNDRESTARË të saj”, ka shkruar Selmanaj në Facebook.

Pas këtij reagimi të Selmanaj kundër tij doli nënkryetari i LDK-së, Anton Quni duke thënë se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është i fundit nga liderët e partive që është takuar me Albin Kurtin e Vjosa Osmanin.

“Lumiri ishte i fundit nga liderët e partive që takoi, znj. Osmanin; në konsultim gjithëpërfshirës me strukturat e LDK-së. Nuk kishte as “turr” e as “vrap”! LDK-së po i ri-kthehet dinjiteti me hapa shumë të sigurt. “Dream Team” në krye me Lumirin”, ka shkruar Quni.

Selamanj ishte ai që reagoi përsëri pas këtij postimi të Qunit, duke thënë se “qenkan prek pak “gjenerata e re reformatore” e LDK-së”.

“Pajtohem që zërin qytetar duhet dëgjuar me shumë kujdes, dhe që reflektimi të ndodh me domosdoshmëri, por ky reflektim duhet të filloj pikërisht nga ata që për 20 vite mbajtën pozita të rëndësishme në LDK, dhe ata që në degët e tyre në zgjedhjet e fundit humbën mbi 50% të elektoratit të LDK-së. Është e ligë dhe tejet e ulët që të tillët të na ripaketohen si reformator apo “dream team”!. Kjo kohë ka kaluar!…”, ka shkruar Selmanaj në Facebook.

Në mbledhjen e saj dje këshilli i përgjithshëm i LDK-së  ka zgjedhur nënkryetar Lutfi Hazirin, Gazmend Muhaxherin, Anton Qunin dhe Shqipe Mjekiqin. Ndërsa ka lënë jashtë dy ish-nënkryetarë, Agim Veliun dhe Haki Rugovën./21Media