Haziri deklaroi se LDK-ja favorizon një qeveri gjithëpërfshirëse, me VV-në, si parti e parë e dalë nga zgjedhjet

Haziri deklaroi se LDK-ja favorizon një qeveri gjithëpërfshirëse, me VV-në, si parti e parë e dalë nga zgjedhjet

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri kërkon qeveri gjithëpërfshirëse, duke përfshirë edhe Vetëvendosjen si parti parë e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit. Por, u shpreh kundër çdo bashkëpunimi me Partinë Demokratike të Kosovës. Këto qëndrime Haziri i bëri të ditura në një intervistë për Kp, teksa komentoi edhe përplasjet e fundit ndërmjet Vjosa Osmanit dhe Agim Veliut.

Ai i quajti si zhurmë politike përplasjet brenda partisë së tij, për të cilat tha se duhet të lihen për kohën postpandemike.

Nënkryetari i LDK-së që njëherësh është edhe kryetar i Gjilanit tha se tani është koha që të gjithë së bashku të fokusohen në armikun e vetëm të quajtur COVID-19.

“Nuk ka nevojë për zhurmë politike dhe nuk është koh a për zhurmë politike dhe duhet lënë në kohë postpandemike qëndrimet puro partiake dhe raportet puro partiake ose institucionale. Unë mendoj se duhet kthyer vijës së parë të frontit, e ajo vija e parë e frontit është koordinimi, bashkëpunimi, pavarësisht raporteve politike dhe institucionale në luftë me të panjohurën që quhet COVID-19, e që duhet ta ruajmë shëndetin e popullatës sonë. Së paku ta japin një kontribut me ruajt edhe shëndetin politik këto ditë”, thotë ai.

Pavarësisht rrëzimit të qeverisë Kurti me iniciativë të LDK-së, Haziri tha se në Kosovë nuk ka ende krizë politike. Ai tha se LDK-ja favorizon një qeveri gjithëpërfshirëse, me VV-në, si parti e parë e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, por shtoi se kriza eventuale politike mund të zgjidhet vetëm në frymë Kushtetuese.

Edhe pse deklaroi se është për një qeveri gjithëpërfshirëse, nënkryetari i LDK-së u shpreh se PDK-ja nuk është në opsinonin e tyre për qeverisje. Madje tha se raportet me këtë parti janë lënduar shumë në vitin 2017 dhe se ende nuk ka një përmirësim të tyre.

Ndërsa, me partitë të tjera, Haziri se do të komunikojnë dhe do të bashkëpunojnë në të ardhmen.

“Ne në raport me PDK-në qëndrimet i kemi të qarta. PDK-ja nuk është opsion për qeverisje, as duke qenë LDK-ja pjesë e një qeverisje gjithëpërfshirëse, as duke qenë LDK-ja pjesë e opozitës. Roli i PDK-së dhe raporti PDK-LDK ka ndryshuar drastikisht nga viti 2017. Dhe ky raport nuk është përmirësuar dhe është i njëjtë. Komunikimi ynë është përmes institucioneve kryesisht në kuvend dhe nuk ka tjetër komunikim. Komunikimi me partitë tjera, natyrisht i kemi në dy nivele edhe në atë politiko-partiak dhe nivelin politik-institucional. Do të vazhdojmë të kultivojmë vlerën e bashkëpunimit, tolerancës dhe vlerën e gjithëpërfshirës për zgjidhjen e problemeve të rëndësishme për republikën tonë. Sepse dialogu me Serbinë, normalizimi i raporteve me Serbinë, çështja e politikave për integrim evropian, sundimi i ligjit, reformat, janë politika që kërkojnë një gjithëpërfshirje më inkluzive”, tha Haziri për Kp.

Kujtojmë se Vjosa Osmani dhe Agim Veliu ditët e fundit kanë ngritur nivelin e debatit, duke e akuzuar njëri-tjetrin. Madje Veliu e ka quajtur Osmanin “përkthyese të Thaçit”.