Shkruan Iliaz Bombaj

Përse më shkrove sërish letër,
Kur koha jonë flinte në hi ?
E di ç’më bëre ? Më ke ndezur,
për të më shuar përgjithnji.

E mbaj në duar, më djeg dorën,
E hedh matanë, shpirtin më djeg,
në zjarrin që më ke dërguar,
më thuaj ku ta gjej një shteg ?

Përse s’më le në punën time,
të flija lirshëm në harresë ?
Ç’t’u desh t’i dilje kohës kundër,
të fshije pluhur në kujtesë ?

Nëse tek ti lashë disa borxhe,
mos mi përmend, të lutem, kot,
më thuaj, pra, kush dashurisë iu dha,
dhe nuk i mbeti borxh ?

Përse më shkrove sërish letër,
kur koha jonë flinte në hi ?
E di ç’më bëre ? Më ke ndezur,
për të më shuar përgjithnji.