Pasi deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Fitim Uka sot tha se Qeveria e Kosovës ka dështuar në menaxhimin e pandemisë COVID-19, reagoi ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, duke e quajtur “rrenc” deputetin.

Por, kjo nuk përfundoi këtu. Ministri Zemaj nga foltorja e Kuvendit të Kosovës iu drejtua deputetit Uka duke i thënë se është për të ardhur keq se si një deputet është veshur nën petkun e mjekut i gëzohet vdekjeve nga virusi korona.

“Situata e pandemisë në Kosovë është e qetë e sigurisht edhe debati është i qetë e sigurisht edhe debati është më i relaksuar pavarësisht intencave ndonjëherë të cilat mund të jenë edhe të qëllimshme besoj për nga pakujdesi por edhe nga referencat e dobëta e të këqija me qëllime dashakeqe. Këtu të bie ndërmend se ka referohen shtetet që nuk janë dashamirëse të Kosovës sepse statistikat e shtrembëruar e paraqitura janë nga deputetët këtu kanë qenë para pak dite në Sputnikun Rus. Kjo është për të ardhur keq edhe është për të vuajtur se si një deputet i Kuvendit të Kosovës i veshur me petkun e mjekut i gëzohet vdekjeve të një pandemie globale e cila e kë përfshi gjithë globin edhe në sistemet më të avancuara shëndetësore. Kosova në përpalljen e saj në pandeminë”, deklaroi Zemaj.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i deputetit të Vetëvendosjes, Fitim Uka.

Ai reagoi duke thënë se nuk është mjek por është psikolog, derisa ka theksuar që nuk është veshur në petkun e mjekut dhe se nuk vesh atë që nuk i bie tamam.

“Nuk e di nëse është serioze që t’i përgjigjem një ministri ilegal që e lexon Sputniku rregullisht sidoqoftë nuk e di prapë a ja vlen t’i përgjigjem një ministri që referencën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë e konsideron të pabesueshme mbase mendon që duhet të iu besohet syve të tij, por nuk mund ta bëjmë këtu. Ajo që u tha këtu është e pavërtetë sepse ne e dimë që 30 respiratorë janë blerë në kohën e ministrit Arben Vitia dhe janë blerë 750 mijë euro. 30 të tjerë në kohën e ministrit Vitia janë marrë donacion nga Bashkimi Evropian dhe 6 respiratorë janë ardh donacion nga Katari. Edhe një sqarim tjetër është që aq i pasaktë je saqë mua më konsideron që jam mjek. Unë nuk jam mjek, jam psikolog, unë nuk e veshi petkun që nuk më bie tamam e as kostumin që nuk më bie tamam. Për këtë arsye duke qenë psikolog unë kam ndjeshmëri për ato 640 vdekje që kanë ndodhur në Kosovë e besoj që do të duhet të keni edhe ju. Sidoqoftë meqenëse ju po na thoni që ne po gëzohemi për numrin e vdekjeve ua konfirmoj që ne nuk po gëzohemi dhe ju po krenoheni, dhe të krenoheni me numrin e vdekjeve është turp”, theksoi Zemaj.

Zemaj sërish nuk u përmbajt. Ai sërish i replikoi deputetit Uka, duke e quajtur psikolog të dobët.

“Ti je psikolog por je psikolog i dobët. Le që je i dobët por edhe jo me shpirt humani. Kështu që ky është dallimi që të bënë me psikologët e tjerë edhe me analizat psikologjike që duhet të bëhen. Për këtë arsye e ke krijuar atë grupin operativ propagandues që mos me respektu masat mbrojtëse të Qeverisë së Kosovës. Si psikolog ke ftu këtu në shesh mijëra njerëz me dalë me shpërnda virusin. Kjo është psikologjia jote”, u shpreh Zemaj.

Gjithë ky debat u bë në Kuvendin e Kosovës, derisa kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ishte ftuar për të raportuar për 100 ditshin e qeverisjes së tij.