Nëse organet kompetente nuk reflektojnë ndaj kërkesave të tyre, nuk përjashtohen protestat

Nëse organet kompetente nuk reflektojnë ndaj kërkesave të tyre, nuk përjashtohen protestat

Përveç diskriminimeve që u bëhen në shkollim, punësim e në shumë sfera tjera, personat me aftësi të kufizuara, së fundmi po diskriminohen nga shteti edhe në pensionet të cilat u takojnë.

Që nga viti 2009 prej kur edhe ishte miratuar ligji për përkrahjen e personave me aftësi të kufizuara, asnjëherë nuk ka pasur rritje të kësaj skeme pensionale. Këta të fundit nuk janë përfshirë edhe në rritjen e fundit, për çka po konsiderohet edhe si diskriminim.

Kryetari i Organizatës Forumi kosovar i aftësisë së kufizuar, Bujar Kadriu thotë se të drejtën e cila po u garantohet me ligj, personave me aftësi të kufizuara po ua mohon vet shteti.

E edhe para se të miratohej buxheti për vitin 2019, ai thotë se u kishte dërguar kërkesë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Financave, që këta të fundit të përfshihen në këtë rritje, por një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

“Sipas ligji 04L-131, ka pasur një rritje të pensioneve prej 20 edhe 15 për qind, ku personat me aftësi të kufizuara si shfrytëzues të kësaj skeme pensionale, fatkeqësisht nuk kanë pasur kësi lloj rritje dhe përveç se nuk kanë pasur rritje, prej vitit 2014, këta persona thjesht nuk kanë shfrytëzuar këtë të drejtë elementare që u garanton ligji, dhe mekanizmat tjerë ligjor. Prandaj pakënaqësitë e tyre janë reflektu me të drejtë, dhe ne si organizatë ombrellë e personave me aftësi të kufizuara kemi reaguar tek ministritë përkatëse, konkretisht tek Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe tek Ministria e Financave, ku deri më tani nuk kemi marrë ndonjë përgjigje, në lidhje me këtë shqetësim të këtij komuniteti”, thotë ai.

Kadriu thotë për kp se kjo kategori është diskriminuar shumë në këtë rast, e sipas tij, këta të fundit çdo ditë përballen me vështirësi të ndryshme për mbijetesë.

Ai nuk përjashton edhe mundësinë e protestave, nëse organet kompetente nuk reflektojnë ndaj kërkesave të tyre.

“Nuk i përjashtojmë mundësitë, nëse nuk reflekton Ministria e Punës dhe Ministria e Financave, konkretisht Qeveria e Kosovës, në mënyrë pozitive, tek shfrytëzuesit e kësaj skeme. Ne thashë më herët do t’i shfrytëzojmë të gjitha kanalet ligjore, duke përfshirë avokatin e popullit dhe mekanizma tjerë kushtetues, ne do ti përfshijmë në rast se Qeveria e Kosovës nuk reflekton deri në realizimin e këtyre kërkesave që janë legjitime, mendojmë që nuk i përjashtojmë edhe mundësitë protestave të mundshme të cilat janë legjitime”, shton Kadriu.

Kadriu thotë se këto rritje të pensioneve më shumë janë politike se sa të nevojave të shfrytëzuesve të kësaj skeme pensionale.

Se përjashtimi i kësaj kategorie nga rritja e pensioneve, është shkelje, e pranojnë edhe zyrtarë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Drejtori i Pensioneve, Bahri Xhaferi thotë se mundësia e përfshirjes së tyre është vetën në rast të rishikimeve buxhetore.

“Pse nuk ka ndodh është keq që nuk ka ndodh, është bërë rritje realisht, e pesë skemave pensionale, duke përfshirë shumë skema tjera pensionale me rritje, nuk janë përfshirë as kategoritë e dala nga lufta as pensioni i personave me aftësi të kufizuara. Me ligjin për buxhetin të vitit 2019 nuk është paraparë rritje për skemat e tjera pensionale. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale vazhdimisht mundohet të siguroj pensione të dinjitetshme, mirëpo për shkak të përkufizimeve buxhetore një veprim i tillë nuk ka ndodhur në pjesën e parë të këtij viti, por shpresojmë, nuk do të thotë që do të ndodh, me rishikime buxhetore ndoshta do të ndodh edhe rritja ose korrigjimi nëse mund të themi i vlerës së pensioneve”, deklaron Xhaferi.

Ai pohoi se pensionet e kësaj kategorie, tash e sa vjet kanë mbetur si më të ulëtat.

Qeveria e Kosovës, para disa ditëve, vendosi që me buxhetin e vitit 2019, të rrisë pensionet për disa kategori.

Pensionet bazike, pensionet kontributdhënëse dhe ato të parakohshme të punëtorëve të Trepçës janë ato që janë rritur me vendimin e fundit të ekzekutivit. E në këtë rritje nuk u përfshinë edhe kategoritë e dala nga lufta.

Ndryshe, në Kosovë aktualisht rreth 18 mijë persona marrin pensionin si persona me aftësi të kufizuar, ndërsa, 17 milionë euro është paraparë buxheti për vitin 2019 për këtë kategori.