Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar masat mbrojtëse për votuesit dhe stafin zgjedhor në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut. Qëllimi i këtij udhëzimi është përcaktimi i masave mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së korona virusit dhe përcaktimi i masave mbrojtëse gjatë dorëzimit dhe pranimit të materialit zgjedhor.

Personat të cilët janë të infektuar me COVID-19, ose ndodhën në vetëizolim, do të kenë mundësi të identifikohen nga data 15 deri më 26 nëntor. Për këtë afat pati edhe kundërshtime nga anëtari i komisionit, Sami Kurteshi.

Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani ka thënë se Sekretariati i KQZ-së dhe Këshilli për Çështje Ligjore ka shqyrtuar draft-udhëzimin administrativ për masat mbrojtëse për parandalimin e infektimit me COVID-19. Ku në bazë të tij janë të specifikuara distanca dhe dorezat që duhet të mbajnë qytetarët dhe personat të cilët ndjekin procesin e votimit.

“Ky udhëzim ka për qëllim të përcaktojë zbatimin e masave mbrojtëse në qendrat e votimit, pra në shkollat ku do të mbahet procesi zgjedhor, në Qendrat e Numërimit të Rezultateve dhe në zyrat e komisioneve komunale për zgjedhje. Ku janë specifikuar edhe distancat në qendrat e votimit, në distancë prej dy metrash në qendrat e votimit, dezinfektonte në vendet e votimit, maskat dhe dorezat që do të mbahen”, ka thënë ai.

Të martën KQZ ka miratuar edhe afatin për identifikimin dhe konfirmimin e personave te cilët për shkak të testit pozitiv me Covid-19 janë ne karantinë shtëpiake dhe personave të cilëve u është caktuar masa e vetëizolimit.

Sipas vendimit të KQZ-së ky afat është nga data 15 nëntor deri më 16 nëntor 2020.

Për këtë ka kundërshtuar anëtari i komisionit, Sami Kurteshi, i cili ka thënë se mund të ketë edhe persona pas kësaj date te cilët infektohen me këtë virus, e që nuk do të kenë mundësinë për të votuar.

“Çfarë ndodhë me ata persona të cilët do të infektohen pas (datës) 26. Ne kemi bërë përpjekjet që këtyre njerëzve që infektohen t’iu ofrohen të gjitha mundësitë e realizimit të drejtës. Ndër të drejtat kryesore politike, e drejta e votës. Pa ndonjë vendim të gjykatës për shkaqe të jashtëzakonshme, ata nuk munden të realizojnë një të drejtë të cilën nuk ua ndalon, as kushtetuta, as një gjykatë”, ka deklaruar Kurteshi.

Një afat të tillë e ka arsyetuar, anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sami Hamiti, ku sipas tij nuk ka mundësi për ditë të tjera, meqë KQZ nuk mund të evidentojë persona të infektuar pas kësaj date.

“Në këtë rast që është (data) 26, sepse nuk ka mundësi teorike me të shkojë më vonë KQZ-ja. Prandaj mund të bëhet, por me një afat që e kemi caktuar deri atë ditë. Dhe të tjerëve u pamundësohet ajo, por për shkaqet e tjera KQZ-ja nuk mundet me 27 dhe me 28 të evidentojë pjesët e tjera. Mundësitë më të mëdha, maksimale që i kemi, është për herë të parë, dy ditë para votimit”, ka thënë Hamiti.

Ndër tjera në këtë mbledhje u tha se janë 63 kërkesa të qytetarëve në Podujevë për ndërrim të qendrës së votimit, ndërsa në Mitrovicën e Veriut janë dy kërkesa të tilla./KP