Pesë emisarët në Prishtinë, Hoti-Kurtit: Shpresoj të keni plan, mbahuni fuqishëm në parime

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Avdullah Hoti, ka folur për vizitën e pesë emisarëve që kanë ardhur në Prishtinë për bisedime rreth planit franko – gjerman. I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, i shoqëruar nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, ai i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talo, këshilltar i kryeministres së Italisë pasdite nga Prishtina do të shkojnë në Beograd.
Hoti ka thënë se sot është një ditë e rëndësishme që së bashku me aleatët, të definohen hapat në procesin e dialogut për marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Ai në një shkriim në Facebook ka thënë se marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën. “Që ruan karakterin unitar të shtetit të Kosovës, që i adreson të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve një herë e përgjithmonë në mënyrë që dy vendet të rrugëtojnë drejt integrimit evropian”.
Hoti shpreson që Qeveria dhe ekipi negociator kanë përgatitur planin e tyre dhe propozimet për emisarët për dialog që sot janë në Prishtinë.
“KËSHILLË: Mbahuni fuqishëm në parimet që duhet të respektohen në negocimin e marrëveshjes. Mos bëni kompromis në qëllimet e dialogut, por gjeni modalitetet e nevojshme për arritjen e marrëveshjes. Koordinohuni me aleatët tanë!”, ka shkruar Hoti./21Media

Back to top button