Ferizaj është komuna me më së shumti të prekur me koronavirus në Kosovë. Në mesin e mbi 1000 rasteve, të cilat janë konfirmuar deri më tani në vend, 134 prej tyre janë vetëm në komunën e Ferizajt. Ndërkohë, janë 35 raste aktive, ku pesë familje janë duke qëndruar në vetizolim.

Agim Aliu, i cili udhëheq këtë komunë, tha për Kp se burimi i përhapjes së këtij virusi dihet dhe se të infektuarit kanë lidhje familjare.

“Gjithsej në komunën tonë janë 134 raste me Covid-19. Prej tyre tashmë të shëruar janë 97 raste, dy i kemi raste që fatkeqësisht kanë përfunduar me vdekje. Ndërsa, 35 raste i kemi aktive. Kryesisht të gjitha rastet prej 134 janë prej dy burimeve. Burimi i parë siç tashmë dihet, burimi i parë ka qenë i kampit ‘Bondsteel’ dhe burimi i dytë që është i paidentifikuar, por që të gjithë këto raste që tashmë janë aktive janë nga burimi i dytë i infeksionit. Dhe që kryesisht janë familjarë”, tha Aliu.

Përkundër numrit të madh të rasteve, e po ashtu edhe atyre që vazhdojnë të jenë pozitiv me koronavirus, Aliu u shpreh se gjendja është nën kontroll.

Veç tjerash, ai bëri të ditur se gjendja shëndetësore e tyre është e mirë dhe se nuk kanë ndonjë simptomë të rënduar.

“Janë pesë familje të cilat bëjnë tërësinë e këtij numri, respektivisht 35 rasteve që tashmë janë aktive. Dhe të gjitha janë të izoluara. Ndërsa sot pritet tre raste që janë raste kontakti me këtë persona. Dhe presim të cilat janë rezultatet”, shtoi Aliu.

Në Klinikën Infektive në QKUK gjatë së enjtes janë hospitalizuar tetë pacientë të sëmurë me Covid-19. Ku prej tyre pesë janë në gjendje stabile, dhe një në gjendje më të rënduar.

Aliu tregoi se asnjë nga të infektuarit e komunës së Ferizajt nuk është duke u trajtuar në Infektivë. Në anën tjetër, ai thekson se që nga fillimi kanë kërkuar masa lehtësimi, meqë sipas tij ekonomia do të jetë preokupim për vendin.

“Meqë nuk ka ilaç kundër koronavirusit, dhe meqenëse nuk gjendet vaksina kundër Covid-19, sigurisht se ne duhet të mësohemi të jetojmë me koronavirusin. Sepse ajo është në mesin tonë, por për t’i dhënë një shans më shumë ekonomisë dhe rikthimit të jetës, është edhe kërkesë edhe e qytetarëve por edhe e biznesit. Po besoj që duhet të respektohen masat…Më shumë janë rastet që janë paraqitur si rast i një moskujdesi se sa këto raste jo vetëm në Ferizaj por edhe nga ajo që dimë në nivel të Kosovës janë si rezultat i ndejave të cilat janë duke u organizuar edhe tash për iftar në muajin e shenjtë të Ramazanit”, theksoi ai.

Agim Aliu, që udhëheq komunën e Ferizajt bëri thirrje që të shmangien grumbullimet tektë afërmit dhe në ambiente të tjera, në mënyrë që sipas tij, t’i jepet ‘shans’ rikthimit në normalitet.

Theksojmë se, në komunën e Ferizajt në mesin e 134 të infektuarve me koronavirus, 95 janë shëruar, ndërkaq dy persona kanë ndërruar jetë.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në tërë vendin numri i të prekurve me COVID-19 është 1003, ku 772 prej tyre kanë arritur që të shërohen, ndërsa 30 persona kanë vdekur, të cilët përveç koronavirusit, kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.