Problemet në zingjirin e furnizimit më lëndën e parë për prodhimin e vaksinave kundër koronavirusit, e kanë detyruar kompaninë Pfizer që të ulë objektivin e saj të prodhimit për këtë vit, tha një zëdhënëse e Pfizer për Reuters.

Pfizer ka thënë në javët e fundit se parashikon prodhimin e 50 milionë dozave të vaksinës COVID-19 këtë vit. Kjo shifër është përgjysmë më e ulët se ajo që ishte paraparë më herët prej 100 milionë dozash.

Vaksina e Pfizer/ BioNtech është paraparë të injektohet me dy doza, që do të thotë se 50 milionë doza janë të mjaftueshme për të vaksinuar 25 milionë njerëz.

Zëdhënësja, përmendi vonesat në rezultatet nga prova klinike të Pfizer, si një arsye për numrin më të vogël të dozave, që pritet të prodhohen deri në fund të vitit 2020.

Wall Street Journal ishte i pari që raportoi lajmin. Gazeta raportoi se një person i paidentifikuar, i përfshirë drejtpërdrejt në zhvillimin e vaksinës të Pfizer tha se “disa sasi të lëndëve të para nuk arritën të përmbushin standardet”, gjë që shkaktoi vonesa të prodhimit.

Pfizer aplikoi në nëntor për autorizimin emergjent për vaksinën e saj kundër COVID-19 nga rregullatorët e SHBA-së. Zyrtarët amerikanë thanë se ata presin që vaksina e saj të marrë miratimin këtë muaj.

Rregullatorët në Mbretërinë e Bashkuar kanë autorizuar tashmë vaksinën e Pfizer për përdorim në atë vend.