Pique njofton pensionimin nga futbolli
Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique përmes një komunikate ka informuar se do të pensionohet nga futbolli kur La Liga do të hyjë në pushim për shkak të Kampionatit Botëror “Katar 2022”.
Pique, 35 vjeçar, tha se ndeshja e së shtunës kundër Almeiras në La Liga do të jetë e fundit në “Camp Nou” për gjigantin katalunas pas 14 vitesh me klubin.
Pas Almeiras, Barcelona luan ndeshjen si mysafirë kundër Osasunas o para fillimit të Kupës së Botës në Katar.
“Për javë të shumta kanë qarkulluar fjalë për mua. Nuk kam thënë asgjë por dua që të flas tani. Si ju, duke ardhur nga një familje futbolli, unë gjithmonë kam qenë një tifoz i Barcelonës. Nuk dëshiroja të bëhem një futbollist, dëshiroja që të luaja për Barcelonën.
Kohët e fundit kam menduar shumë kur isha më i ri, se çfarë do të kishte menduar Gerardi nëse do t’i thosha se do të përmbushte të gjitha ëndrrat e tij, se do të luante për Barçën dhe do të ishte kampion evropian dhe bote.
Se do të luante me lojtarët më të mirë, se do të ishte kapiten i klubit… futbolli më ka dhënë gjithçka, Barça më ka dhënë gjithçka, ju tifozët më keni dhënë gjithçka. Dhe tani ëndrrat e mia të fëmijërisë janë përmbushur, momenti ka ardhur për të mbyllur këtë kapitull.
Gjithmonë kam thënë se pas Barcelonës nuk do të ketë asnjë ekip tjetër dhe kështu do të jetë. E shtuna do të jetë ndeshja ime e fundit në ‘Camp Nou’.
Do të bëhem një tifoz tjetër më pas, do të mbështes ekipin dhe do t’ua transmetoj dashurinë për klubin fëmijëve të mi, siç bënë me mua. Dhe ju më njihni, herët a vonë do të kthehem. Shihemi në ‘Camp Nou’. Visca Barca, gjithmonë dhe përgjithmonë”, tha Pique në një video emocionuese në Twitter.
Përgjatë karrierës së tij te Barcelona, Gerard Pique ka arritur të bëjë 615 paraqitje në të gjitha garat, duke regjistruar 53 gola dhe 15 asistime mbi emrin e tij.
Culers, us he de dir una cosa. pic.twitter.com/k3V919pm1T
— Gerard Piqué (@3gerardpique) November 3, 2022