Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, para trupit gjykues në Gjykatën Speciale është deklaruar i pafajshëm.

“Nuk e ndjej veten që kam bërë ndonjë krim, përpos që kam mbrojtur vendin tim jam i pafajshëm plotësisht”, ka thënë shkurtimisht ai.

Shala, ka thënë se nuk ka pasur nevojë të vinte deri te arrestimi, pasi do të paraqitej vet në Gjykatën Speciale në Hagë.

Më 23 prill në orën 11:00 është caktuar të mbahet konferenca mbi ecurinë e çështjes ndaj Pjetër Shalës, i akuzuar nga Gjykata Speciale për krime lufte.

Shala akuzohet për krime lufte, ushtrim të dhunës fizike dhe psikike, trajtim çnjerëzor, gjatë vitit 1999 në Kukës, në një ish-fabrikë metali.