PK: Armët, municioni dhe uniformat në Zubin Potok ishin fshehur në një kotec pule
Policia e Kosovës këtë të marte gjatë një bastisjeje në veri të vendit, ka sekuestruar municion, armë dhe uniforma të ushtrive të disa shteteve.
Sa i përket gjendjes në veri të vendit nga Policia thuhet se situata është e brishtë.
Postimi i plotë:
“Situata e siguris në nivel vendi vlerësohet e qetë, aktualisht një situatë e qetë vlerësohet edhe në veri të vendit, por siç e kemi bërë të ditur në vazhdimësi, në veri është një situatë e brishtë, e përcjellë me raste të natyrave të ndryshme kriminale, sikurse rasti i sulmit kriminal terrorist i ndodhur me 29.11.2024 ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e ujit në Ibër Lepenc, të komunës së Zubin Potokut. Angazhimet dhe masat shtesë të Policisë së Kosovës po vazhdojnë në veri të vendit, me qëllim që banorëve të asaj zone tu ofrohet siguri, të parandalohen aktet e mundshme kriminale e terroriste, akte këto si ky i fundit që ishte ndaj infrastrukturës kritike, dëmtimi i së cilës mund të kishte sjellë pasoja të mëdha për vendin, për termocentralet e po ashtu do të kishte lënë pa ujë të pijshëm shumë banorë të disa komunave, përfshirë edhe vet banorët në komunat në veri të vendit. Sot me datën 03.12.2024, si rezultat i patrullimeve dhe angazhimeve nga njësite relevante policore, janë siguruar informacione se në një lokacion të komunës së Zubin Potokut, dyshohej se gjenden të fshehura armë, municion dhe pajisje të ndryshme ushtarake. Pas verifikimit të informacionit njësite policore kanë kryer kontrollin në objekte ndihmëse ku në një kotec pule, të fshehura nën kashtë dhe në disa fuçi (bure) të mbushura me drithëra u zbuluan disa qese me armë, municion, antiplumb dhe pajisje të tjera ushtarake, të cilat janë sekuestruar si dëshmi dhe prova materiale, e që janë si në vijim:
Një armë AK-47 e demontuar. Shtatë karikatorë për AK-47 me nga 30 fishekë, 12 fishekë dhe të zbrazët. Pjesë të ndryshme për armë me një kuti plastike. Municion të kalibrave të ndryshëm. Një helmetë ushtarake. Dhjetë rripa për uniforma ushtarake.• Një kapelë ushtarake. Dy çantë ushtarake. Një shall kamuflazhi për snajper. Një këllëf ushtarak për karikator të armës së gjatë. Disa jelekë taktikë ushtarakë, prodhim kinez. Disa uniforma, xhaketa, këmisha, pantallona, rripa dhe kapela ushtarake me emblema e mbishkrime të llojeve të ndryshme, përfshirë ato ruse etj. Të gjitha veprimet e mëtejme do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë kompetente. Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar që të angazhohet në ruajtjen e rendit kushtetues dhe njëherit siguron qytetarët pa dallim se këto masa janë ndërmarrë në interes të sigurisë së tyre, parandalimit të akteve kriminale, ruajtjes së pronës publike dhe asaj private, si dhe sjelljes së personave të dyshuar para organeve të drejtësisë, në mënyrë që qytetarët e asaj zone të kenë një jetë më të qetë e më të sigurt”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. /21Media