Plan për parandalimin e substancave të ndaluara në ferma

AUK thotë se është paraparë të merren 307 mostra

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ka autorizuar zyrtarët e projektit transparenca dhe neutralitetit i mostrave të qumështit (ShPQK) që të kryejnë marrjen e mostrave në fermat prodhuese të qumështit për monitorimin e mbetjeve në detektimin preparateve mjekësore veterinare, substancave të ndaluara dhe kontaminatëve mjedisor.

AUK thotë se sipas planit është paraparë që vetëm nga ky bashkëpunim të merren 307 mostra të qumështit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, gjë që konsiderohet një kontribut i rëndësishëm nga ana e zyrtarëve të projektit, për mbrojtjen e shëndetit publik përmes sigurisë së ushqimit.

“Bashkëpunimi mes AUV-së dhe ShPQK-së në implementimin e planit të mbetjeve, është rrjedhojë e aktiviteteve të përbashkëta në vazhdimësi të zbatimit të punës për monitorimin e cilësisë të qumështit në Kosovë. Gjatë këtij takimi, Festim Rexhepi nga drejtoria e shëndetit publik dhe Kujtim Uka nga laboratori i ushqimit dhe veterinarisë para të pranishmëve prezantuan në mënyrë të detajuar qëllimin, objektivat, rezultatet e pritshme, grupet dhe nëngrupet e substancave që do të kërkohen si dhe lokacionet e mostrimit. Po ashtu u demostrua edhe procedura e mostrimit dhe me këtë rast u bë edhe shpërndarja e materialeve të nevojshme për mostrimin. Koordinatori i projektit Milazim Makolli prezantoi në mënyrë të përmbledhur aktivitetet e realizuara dhe ato në vazhdimësi, të cilat siç theksoi kanë arritur suksese të mëdha në drejtim të përmirësimit të cilësisë së qumështit të freskët nga ana e prodhuesve vendor”, thuhet në njoftim.

Makolli shprehu edhe një herë gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit me AUV dhe u zotua se detyrat e përcaktuara do të zbatohen me përpikmëri nga zyrtarët e tij, me mundësi që në të ardhmen të zgjerohet akoma më tej bashkëpunimi me projektet e reja në fushën përkatëse por jo vetëm.

Back to top button