Plani masiv i rimëkëmbjes së BE-së vihet në pikëpyetje

 
Plani i stimujve të Bashkimit Evropian për rimëkëmbjen ekonomike nga pasojat e krizës korona ka hasur në një pengesë, pasi çështja e kushtetutshmërisë së supozimit të përbashkët të borxhit të bllokut me 27 anëtarë është ngritur para Gjykatës Kushtetuese së Gjermanisë, raporton CNBC.
Shtetet anëtare të BE-së kanë rënë dakord në korrik të vitit të kaluar për të emëtuar bono të përbashkëta në tregjet financiare ndërkombëtare përmes Komisionit Evropian, në mënyrë që të mbledhin 750 miliardë euro për të zbutur efektet negative të pandemisë së virusit korona në ekonomitë kombëtare.
Megjithëse vendet e BE-së marrin shumë vendime politike së bashku, secili vend ka kontroll të plotë mbi rregullimet e tij fiskale. Pranimi i borxhit të përbashkët ka rezultuar i diskutueshëm për vendet më konservatore fiskale të bllokut, të cilët kanë frikë se do të rezultojë në një barrë më të madhe për taksapaguesit e tyre, transmeton CNBC.
Një organizatë joqeveritare në Gjermani, Aleanca e Vullnetit të Qytetarëve, paraqiti një ankesë në Gjykatën Kushtetuese, duke deklaruar se marrëveshjet evropiane nuk lejojnë huazime të përbashkëta.
Si rezultat, një gjykatë gjermane të premten ndaloi një ligj që do t’i hapte rrugë Komisionit Evropian për të hyrë në tregun e borxhit dhe për të mbledhur fonde për Fondin e Rimëkëmbjes.
Gjykatësit gjermanë thanë se u duhej të merrnin një vendim mbi një ndalim të përkohshëm të ligjit si një masë paraprake.
“Ne jemi të vetëdijshëm se Fondi i Rimëkëmbjes është një projekt politik mbi të cilin tashmë është marrë një vendim. Sidoqoftë, duke pasur parasysh rreziqet e konsiderueshme, qeveria federale duhet të sigurojë që huazimi në nivelin e BE-së dhe shmangia e rregullave fiskale të mos bëhet një zgjidhje e përhershme,” thuhet në një deklaratë të Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi i gjykatës gjermane u miratua pavarësisht nga fakti se 478 nga 645 deputetë në parlamentin gjerman i dhanë “dritën jeshile” ratifikimit të ligjit mbi borxhin e përbashkët të BE-së javën e kaluar.
Stacioni televiziv amerikan gjithashtu kujton se KE nuk mund të kërkojë fonde në tregjet financiare para se të gjitha vendet anëtare të miratojnë ligjin përkatës për një lëvizje të tillë.
22 nga 27 vendet anëtare të BE-së kanë miratuar deri tani ligjin ose duhet të përfundojnë procedurën muajin tjetër. Austria, Polonia, Hungaria dhe Holanda nuk kanë konfirmuar ende kur parlamentet e tyre do të votojnë mbi ligjin e përmendur dhe një re e pasigurisë mbi këtë çështje tani po kalon mbi Gjermaninë, sipas CNBC.
“Nëse kjo çështje nuk zgjidhet shpejt dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk përputhet me ligjin që ishte miratuar më parë nga të dy dhomat e parlamentit gjerman me një shumicë të madhe, pagesa nga fondi mund të shtyhej ose edhe të rrezikohej”, ka shkruar sot Holger Schmeding, ekonomisti kryesor evropian pranë Bankës Berenberg në Hamburg.

Back to top button