Dy ditë para fillimit të vitit të ri shkollor në Maqedoninë e Veriut, arsimtarja po bën prova me nxënësit se si të kyçen dhe të punojnë online. Por, edhe sot për shkak numrit të madh të të kyçurve, Platforma nacionale për mësim nga distanca po ka probleme.

“Nuk po mundet kjo të funksionojë për momentin. Tregom a shtype shigjetën lart ku shkruan share. Po aty provova por shkruan se vetëm ata që prezantojnë mund ta bëjnë. Duhet leje. Mirë do ta gjejmë atë”.

Në lidhje me problemin e kyçjes së nxënësve dhe arsimtarëve në platformën nacionale, ministrja beson se do të tejkalohet për dy javë.

“Do të jetë vështirë, nuk do të jetë e lehtë, do të ketë shumë sfida, por jam e sigurt se do ta kalojmë vitin, nëse të gjithë besojmë që fëmijët duhet të stimulohen dhe të kenë informata që do t’i marrin në vazhdimësi, çdo ditë dhe ta shohin arsimtarin”, theksoi Milla Carovska – Ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Banka, dezinfektues dhe protokollet për hyrje e dalje të nxënësve janë gati, por jo edhe pajisjet, me të cilat ata duhet te punojnë. Shkolla Fillore “Dane Krapçev” numëron 820 nxënës, prej tyre rreth 500 nxënës mësimin do ta zhvillojnë online. Vetëm në këtë shkollë ka 87 nxënës, të cilët nuk kanë kompjuterë ose internet në shtëpi.

“Kemi rreth 87 nxënës të cilët nuk kanë dhe për të cilët jemi të gatshëm që të printojmë materiale”, tha Violeta Stoilevska – Drejtoreshë e SHFK “Dane Krapçev”.

Sipas Ministres për Arsim, nxënësit që nuk kanë pajisje elektronike për të ndjekur mësimi nga distanca, mësimin mund ta ndjekin nga RTM.

“Kemi siguruar që nxënësit të marrin materiale nga shkollat, të jenë prezentë në klasa, por më e rëndësishme është që RTM na doli në ndihmë dhe në pajtueshmëri me orarin shkollor, ashtu edhe do të zhvillohet mësimi nga orët 15 minutshe në TVM1, TVM5, TVM6 dhe në kanalet tjera të komuniteteve etnike”, u shpreh Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska.

Sindikata e Arsimit fajin për mospajisje të nxënësve me mjete teknike ia hedh komunave dhe shkollave.

“Sa i përket mjeteve teknike të cilat mungojnë unë fajin do të ua hedhja të gjithëve e sidomos shkollave dhe komunave . Nuk dua t’i përziej kompetencat të cilat i kemi, ne si sindikatë kujdesemi për të drejtat e të punësuarve e që këtu kemi një situatë të cilën e përmendëm, ku kemi rritje të orarit të punës te ata”, tha kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkov.

Përndryshe, 40 mijë nxënës nuk kanë pajisje elektronike për të ndjekur mësimin nga distanca. Platforma nacionale për këtë formë mësimi është shpalosur dy javë përpara së të nis viti shkollor, raporton TV21./21Media