Plazma konvalescente ​nuk përdoret më për trajtimin e pacientëve me COVID-19

 
Në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, numri i pacientëve të shtrirë që janë të infektuar me COVID-19 vazhdon të jetë i ulët. Aktualisht në këtë klinikë janë të hospitalizuar 11 persona, prej tyre 5 janë me oksigjenoterapi. Për të vazhduar kjo gjendje e qetë epideomologjike në Kosovë infektologët po bëjnë thirrje që qytetarët të vaksinohen qoftë me AstraZeneca apo Pfizer.
Në intervistë për KP, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj tregoi se tanimë nuk po përdoret plazma konvalescente sikurse ishte përdorur në shkurtin e këtij viti.
Vishaj bëri të ditur edhe se në mjekim intensiv nuk është i shtrirë asnjë person i infektuar me koronavirus.
Por edhe përkundër që kjo klinikë është destinuar vetëm për trajtimin e pacientëve me koronavirus, në raste specifike kanë trajtuar edhe pacientë të tjerë. Me këtë rasti Vishaj tregoi se kanë pranuar dy fëmijë me varicelë të cilët janë të shtrirë në repart të veçantë në Klinikën Infektive.
Infektologu tha se të gjitha vaksinat antiCOVID në Kosovë janë të sigurta.
“Vaksinat që i posedon Kosova janë vaksinat të aprovuara nga institucionet më prestigjioze evropiane dhe ndërkombëtare me kualitet të lartë dhe mos të hezitojnë që ta marrin sa më parë që të jetë e mundshme[…]Sa më shumë që të vaksinohemi, sa më shumë që të marrim të gjitha llojet e vaksinave Johnes&Johnes a është AstraZeneca apo Pfizer apo Moderne të gjitha janë të aprovuara nga EMA DWD dhe të gjitha vaksinat që janë në dispozicion në vendin tonë janë të sigurta”, tha Vishaj.
Në muajin shkurt Kosova kishte një shifër të lartë të të infektuarve me COVID-19, Ministria e Shëndetësisë kishte aprovuar një manual për trajtimin e pacientëve me plazmën konvalescente. Por që tani sipas u.d. të drejtorit të Klinikës Infektive ky lloj trajtimi nuk po aplikohet më, por që si profesionistë shëndetësor tha se janë duke e bërë përpunimin e të dhënave mbi efikasitetin e plazmës.
“Ne në këtë kohën e fundit nuk jemi duke përdorur sepse nuk kemi pasur nevojë, e kemi përdorur plazmë konvalescente në fazën e mëhershme të sëmundjes tek një grupi i pacientëve që kanë pasur formë të rëndë dhe kritike dhe jemi në përpunimin e të dhënave mbi efikasitetin e plazmës konvalescente”, deklaroi ai.
Situata epidemiologjike vazhdon të jetë e qetë, në 24 orët e fundit është konfirmuar një rast pozitiv me COVID-19 dhe një person e ka humbur betejën me këtë virus.
Kosova nisi vaksinimin kundër koronavirusit në fund të marsit, ndërkaq më 15 qershor nisi vaksinimi masiv. Deri më 7 korrik, në Kosovë janë vaksinuar mbi 236 mijë qytetarë, ku rreth 58 mijë prej tyre janë vaksinuar plotësisht./KP

Back to top button