Po plaket stafi mjekësor, 27 profile të mjekësisë po rrezikohen

Pensionimi i mjekëve në Kosovë, krahas dukurisë së ikjes së mjekëve, ka bërë që të ndihet mungesa e stafit shëndetësor. Mosha mesatare e mjekëve familjarë në Kosovë ka arritur në 56 vjeç, derisa mjekëve specialistë, në rreth 53 vjeç, ndërsa e doktorëve të mjekësisë në 33 vjet. Këto të dhëna portali rtv21.tv i ka siguruar nga Oda e Mjekëve të Kosovës.
Sipas të dhënave të siguruara nga rtv21.tv duke e parë trendin e pensionimit, por edhe duke u bazuar në moshën mesatare të mjekëve, Kosova në pesë vjetët e ardhshme, do të mbetet pa 556 specialistë.
“Mesatarja e mjekëve të pensionuar gjatë 5 vjeçarit të kaluar është 68, ndërsa në 5 vjeçarin e ardhshëm pritet të dalin në pension 556 specialistë, 111 mesatarja”, thuhet të përgjigjen e OMK-së për portalin rtv21.tv.
Sipas Odës së Mjekëve të Kosovës janë 27 profile të mjekësisë nga gjithsej 52 që po rrezikohen me pensionimin e mjekëve.



Spitali i Prizrenit është ai i cili po e “vuanë” më së shumti mungesën e mjekëve për shkak të pensionimit të profesionistëve.
Oda e Mjekëve për portalin rtv21.tv ka treguar të dhënat e pensionistëve të Spitaleve rajonale në Kosovë: S.P Ferizaj 9, S.P Gjakovë 23, S.P Gjilan 30, S.P Mitrovicë 10, S.P Pejë 23, S.P Prizren 53, S.P Vushtrri 3.
Tutje Oda e Mjekëve të Kosovës për portalin rtv21.tv ka thënë se janë 300 mjekë të pensionuar që vazhdojnë të punojnë në sektorin privat.
Krahas plakjes së stafit, edhe ikjen e mjekëve jashtë Kosovës, po cilësohet si shqetësuese.
“Oda e Mjekëve të Kosovë sipas kërkesës së mjekëve anëtar nga data 01.01.2022 deri me datë 10.05.2022 ka lëshuar gjithsej 86 certifikata mbi të kalurën Etike dhe Profesionale, të kategorizuara sipas statusit profesional në tri kategori si: për specialist 6, për specializant 39 si dhe për doktor të mjekësisë 41”, thuhet në përgjigjen e OMK-së.
Ndryshe, rreth 600 mjekë janë të papunë, prej të cilëve, sipas statistikave të Odës së Mjekëve të Kosovës, 41 janë mjekë specialistë./21Media

Back to top button