Po rrezikohet stabiliteti makro-fiskal në Kosovë

Sipas auditorit të përgjithshëm, niveli i lartë i borxheve përbën shqetësim për menaxhimin e buxhetit

Stabiliteti makrofiskal është duke u rrezikuar në vend. Po rriten detyrimet e shtetit ndaj qytetarëve por edhe ndaj bizneseve. Janë 259 milionë euro që shteti ua ka borxh dhe ky trend po rritet krahasuar me vitin paraprak, për 60 milionë euro. Po ashtu, janë mbi 2000 zyrtarë të punësuar me kontratë mbi vepër. Ndërsa, Administrata Tatimore e Kosovës është treguar jo efikase për ta grumbulluar borxhin. Kështu thotë në një intervistë për kp, auditori i përgjithshëm në Zyrën Kombëtare të Auditmit, Besnik Osmani, sipas të cilit, niveli i lartë i borxheve përbën shqetësim për menaxhimin e buxhetit, për arsye se kjo vlerë është rritur për 17 përqind, krahasuar me vitin paraprak ose është rritur për 93 milionë euro.

Sipas autorit të përgjithshëm, po rriten detyrimet e shtetit ndaj qytetarëve por edhe ndaj bizneseve, që janë 259 milionë euro të cilat shteti ua ka borxh dhe ky trend po rritet krahasuar me vitin paraprak, për 60 milionë euro.

“Nëse shohim nivelin e arkëtimeve në nivel kombëtar, nivelin detyrimeve, niveli i keq klasifikimeve janë fakte që tregojnë se situata jo vetëm që nuk është duke u përmirësuar, por ajo është duke u komplikuar dhe kjo kërkon ndërmarrjen e masave edhe efektive të menjëhershme, të sakta në mënyrë që jo vetëm të ndalet ky trend, por të marrin një cikël të përmirësimit në mënyrë që stabiliteti makro financiar i Kosovës të ruhet, e cila viteve të fundit veçanërisht është duke u rrezikuar….”, thotë Osmani.

Ai duke folur për organizatat buxhetore të cilat kanë qenë jo efektive në sistemet e kontrollit të brendshëm dhe nuk kanë arritur që t’i dëshmojnë ashtu siç kërkohet me ligj, thotë se ndër to është edhe projekti “Let’s Do It Kosova” i financuar nga Zyra e Kryeministrit me rreth 800 mijë euro.

“Ka shumë organizata të cilat kanë qenë jo efektive në sistemet të kontrollit të brendshëm dhe nuk kanë arritur që t’i dëshmojnë ashtu siç kërkohet me ligj dhe me korniza rregullative të Kosovës dhe me dëshmi të mjaftueshme, të qarta për shpenzimet që janë bërë. Këto nuk janë vetëm tek projekti që lidhet ‘Ta pastrojmë Kosovën”, për të cilin ne kemi dhënë rekomandime specifike për të cilat Zyra e Kryeministrit ka marrë zotimet të veçanta për t’i zbatuar deri në fund, por këtu gjejmë edhe në nivelin qendror edhe në nivelin lokal”, deklaron ai.

Osmani thotë se dy shqetësime kanë qenë të shprehura në raportet e ZKA-së. E para ka të bëjë me stafin që është në kontrata mbi vepër. Faktikisht të gjitha këto pozita nuk janë të aprovuara nga Kuvendi i Kosovës dhe të gjitha këto përbëjnë keqmenaxhim. E dyta, sipas tij, marrja e tyre në punë është bërë pa procedura siç parashihen me ligj. Kjo po ashtu parqet shqetësim, sepse nuk ka pasur një proces transparent.

Sipas tij, niveli qendror dhe lokal, bashkë kalojnë shifrën diku mbi 2000 zyrtarë të punësuar me kontratë mbi vepër, ndërsa më shumë se 5 milionë euro të cilat duhet të ndahen nga buxheti i rregullt për të financuar këto aktivitete të cilat janë të rrezikuara.

“Janë diku rreth 1257 në nivelin komunal për kontrata në vepër, pak më pak se kaq janë në Qeverinë e Kosovës, kështu që nëse flasim për një lloj faji, ka një lloj baraspeshë midis institucioneve lokale dhe institucioneve qendrore, dhe kjo na jep një emërues të përbashkët që ky fenomen është gjerësisht i përhapur, nuk ka të bëjë me një institucion, nuk ka të bëjë me një parti politike, nuk ka të bëjë me një menaxher, mirëpo është një fenomen i përhapur dhe kjo është një e keqe për arsye që do ta nevojitet kohë për me luftuar dhe për me sjellë në shtratin e vet normal”, thotë ai.

Auditori ka pasqyruar një gjendje të keqe edhe tek ndërmarrjet publike dhe që paraqet shqetësim serioz, që sipas Osmanit, këto ndërmarrje janë në gjendje mjaft kritike dhe shqetësuese. Ai thotë se vetëm në gjashtë ndërmarrje publike kanë 20 milionë euro humbje, ndërsa 15 ndërmarrje publike kanë diku 144 milionë euro detyrime kreditore, të cilat jo që nuk do të jenë në gjendje t’i kthejnë këto ndërmarrje publike, por do të jetë shumë vështirë për qeverinë që në të ardhmen t’u dalë në ndihmë.

Ndërkaq, një ndërmarrje tjetër është në prag të falimentimit.

“Komplet menaxhimi i këtyre 15 ndërmarrjeve publike, me përjashtim 1 ose 2 prej tyre të cilat kanë punuar me bilanc pozitiv dhe shuma totale e fitimeve nuk është më e madhe se gjysmë milion euro, ndërmarrjet e tjera publike janë në gjendje të keqe financiare dhe janë në gjendje të keqe kundrejt shërbimeve të cilat ato i ofrojnë për qytetarët. Ne kemi shpreh shqetësimin tonë kryesore që ka të bëjmë me Telekomin e Kosovës, një ndërmarrja publike tjetër, e cila është audituar për herë të parë që është në rrezik të falimentimit”, pohon Osmani.

Kreu i Zyrës Kombëtare të Auditimit, thotë se nuk ka një shifër të saktë të dëmtimit të buxhetit nga ana organizatat buxhetore, mirëpo në bazë të disa testimeve në terren janë vërejtur mjaft raste kur janë bërë pagesa për punë të cilat nuk janë kryer apo për shërbime të cilat nuk janë marrë, që kanë të bëjnë me mallra dhe shërbime të ndryshme për ndërtime të shkollave, vepra të tjera nga projektet kapitale, të cilat ose janë ende në realizim ose janë në fazë.

Sipas Osmanit, shuma e mjeteve të cilat nuk janë dhënë nga organizatat buxhetore për qëllime të cilat janë vendosur nga Parlamenti i Kosovës, është rreth 22 milionë euro.

Back to top button