Mauricio Pochettino e ka përshkruar Manchester Cityn si njërën ndër skuadrat më të mira në botë, që ka në krye trajnerin më të mirë, para ndeshjes së tyre të parë në kuadër të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve.

Të dy skuadrat në ndeshjen e parë do të takohen në Paris, në një gjysmëfinale mes dy klubeve që nuk e kanë fituar asnjëherë këtë kompeticion.

I pyetur nëse ndeshja kundër skuadrës së Guardiolës është më e rëndësishme se hakmarrja që e morrën kundër Bayernit në çerekfinale, ish-trajneri i Tottenham Pochettino tha: “Unë mendoj që Manchester City është njëra nga ekipet më të forta në botë, për mua, kanë trajnerin më të mirë”.

“A do të jetë më e vështirë se ndeshja me Bayernin? Nuk e dimë. Ka gjithmonë shumë teori, por më e rëndësishmja është që kemi 180’ minuta. Ne jemi të qetë dhe e dimë që duhet të luftojmë sa më shumë për ta mposhtur një skuadër të fuqishme si Manchester City”, shtoi trajneri argjentinas.

Po ashtu, Pochettino tregoi që nuk do të jetë një ndeshje personale, duke shprehur admirimin e tij për trajnerin e Cityt, Guardiolan.

“Nuk është ndonjë ndeshje personale, jo. Është Paris Saint-Germain kundër Manchester Cityt. Pep është njëri nga trajnerët më të mirë, nëse jo më i miri në botë. Nuk i admiroj vetëm titujt që ka, por çdo gjë që ai ka bërë për futbollin deri tani”, tha Pochettino.