Mblidhet Këshilli Komunal për ndërmarrjen e masave preventive

Mblidhet Këshilli Komunal për ndërmarrjen e masave preventive

Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka reaguar pas konfirmimit se një qytetar i Podujevës ka rezultuar pozitiv me koronavirus, duke kërkuar nga qytetarët që të zbatojnë të gjitha udhëzimet për parandalimin e përhapjes së këtij virusi.

Rudari njoftoi se Këshilli komunal për menaxhimin dhe zbatimin e masave parandaluese dhe mbrojtëse nga COVID-19 do të mblidhet sot për të analizuar situatën aktuale dhe koordinimin e aktiviteteve të mëtejme, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.

Ai ka bërë të ditur se Komuna e Podujevës, në përputhje me vendimin Qeverisë së Kosovës dhe rekomandimet e IKSHPK, për ndërmarrjen e masave preventive, qysh javën e kaluar ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme preventive, duke bërë dezinfektimin e hapësirave publike dhe pajisjen e institucioneve shëndetësore me material mbrojtës.

“Konform situatës së krijuar e dhe në komunën tonë janë duke u respektuar rekomandimet për mbylljen e të gjitha objekteve tregtare dhe restoranteve e lokaleve. Inspektorët tanë vazhdimisht janë në teren dhe po përcjellin zbatimin e vendimeve të marra për masat parandaluese të COVID-19”, u shpreh Rudari.

Një qytetar i Komunës së Podujevës pas kryerjes së analizave në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ka rezultuar pozitiv në COVID 19. Personi i infektuar para pak ditësh ishte kthyer Italia, vend ky në gjendje emergjente për shkak të numrit të madh të personave të prekur me koronavirus.

Qeveria e Kosovës mbrëmë ka shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik./21Media