Mjetet shpërthyese u gjenden në afërsi të tri qendrave më të mëdha të transportit në Londër

Mjetet shpërthyese u gjenden në afërsi të tri qendrave më të mëdha të transportit në Londër

Policia britanike e ngarkuar me luftën kundër terrorizmit filloi sot një hetim pas zbulimit të tri bombave të vogla në disa ndërtesa të aeroporteve City dhe Heathrow të Londrës, si dhe në stacionin hekurudhor Waterloo.

Këto mjete shpërthyese ishin futur nëpër zarfe të madhësisë A4, shtoi policia në një komunikatë. Ato mund të shkaktojnë zjarr në momentin e hapjes, vazhdon komunikata.

Një nga tri pakot ishte dërguar në godinën ku ndodhen zyrat e ndërmarrjes Heathrow Airport Limited, që administron, ndër të tjera, edhe aeroportin Heathrow. Pakoja ka shkaktuar djegie të pjesshme kur u hap nga një anëtar i personelit, thekson polica e Londrës, Scotland Yard.

Godina, që ndodhet disa qindra metra nga pistat e fluturimit, u evakuua për arsye sigurie, por trafiku ajror i aeroportit më të madh evropian për sa u përket pasagjerëve nuk u bllokua.

Policia e transporteve u njoftua në orën 11:40 GMT, lidhur me zbulimin e një pakoje të ngjashme në stacionin e trenit Waterloo, një nga nyjet hekurudhore të kryeqytetit. Pakoja u neutralizua pa u hapur. Policia vendosi një kordon sigurie, pa penguar trafikun hekurudhor.

Autoritetet u kontaktuan për herë të tretë në orën 12:00 lidhur me një pako të dyshimtë që kishte ardhur në zyrat e aeroportit City të Londrës, i cili ndodhet afër qendrës financiare Canary Warf dhe që përdoret kryesisht nga një klientelë biznesmenësh.