Policia e Kosovës sot apeloi bashkatdhetarët që të kenë kujdes dhe të mos lënë gjësende të ndryshme në brendi të automjeteve.

“Gjatë 24 orëve të fundit ka pasur raste kur disa vetura, kryesisht me targa të huaja, pasi i janë thyer xhamat, janë kryer vjedhje nga ato, pasi janë vërejtur gjëra të ndryshme si çanta, veshje (pallto), telefona celularë, dokumentacione të ndryshme etj, të cilat janë lënë në hapësira të dukshme brenda në automjete, të parkuara në lokacione të ndryshme. Andaj apelojmë tek të gjithë qytetarët, me theks të veçantë tek bashkatdhetarët, që në veturat e tyre (në pjesë të dukshme, në ulëse) të mos lënë gjëra që mund të jenë shkak që keqbërësve të thyejnë vetura për të arritur tek ato gjësende.”, bëri të ditur policia.

Policia e Kosovës, theksoi se vazhdon të mbetet e përkushtuar në zbardhjen e çdo rasti, në identifikimin e çdo personi të dyshuar, me qëllim, siç shtoi, për të zbatuar synimet e saja, për të ofruar siguri dhe ambient të qetë për të gjithë  si dhe për të ruajtur pronat publike dhe ato private./21Media