Policia në Hong Kong arrestoi rreth 300 njerëz në protestat kundër regjimit kinez, të cilat rinisën pas lehtësimit të masave ndaj panemisë.

Protestuesit u mblodhën për të kundërshtuar një ligj për himnin e Kinës dhe planet për një ligj tjetër të sigurisë kombëtare.

Policia tha se arrestimet janë bërë nën dyshimet për tubime të paautorizuara, transmeton rtv21.tv.

Protestuesit e kundërshtojnë ligjin për himnin, i cili do t’i kriminalizonte fyerjet ndaj tij, dhe ligjin për sigurinë, i cili, sipas tyre, do t’i kufizonte liritë themelore në Hong Kong.

Me ligjin për sigurinë kombëtare, Pekini mund t’i lejojë agjencitë e tij të sigurisë të veprojnë edhe në Hong Kong, si dhe të ndalojë ndarjen dhe ndërhyrjen e huaj.

Hong Kongu ka kaluar nëpër disa muaj protesta – shpesh të dhunshme – vitin e kaluar, kundër kontrollit në rritje të Kinës.

Hong Kongu, qysh në vitin 1997, është pjesë e Kinës në bazë të politikës “një shtet, dy sisteme”.

Ai ka disa të drejta që nuk i gëzon pjesa tjetër e territorit kinez, por protestuesit ankohen se ato po kufizohen gjithnjë e më shumë nga regjimi në Pekin./21Media