“Policia dhe inspektorati janë në terren, por ata nuk mund të na ruajnë nga vetja”

 

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sot deklaroi se mbrëmë ka pasur grumbullim të qytetarëve në disa qendra, që është në kundërshtim me masat e ndërmarra nga Qeveria, masa këto të rekomanduara nga IKSHP-ja.

Hoti u shpreh në facebook se personat e që kanë qenë prezentë mbrëmë ka gjasa ta kenë marrë virusin.

“Dje ne e uronim njëri-tjetrin në familjet tona, ndërsa mjekët, infermierët dhe stafi tjetër mbështetës kujdeseshin për të dashurit tanë të prekur me COVID-19. Ata po e rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë, kur hyjnë në dyert e spitalit ku shërbejnë. Në gjithë atë masë të njerëzve është e sigurt se ka pasur të prekur me COVID-19, që mund të jenë pa simptoma. Kushdo që ka qenë prezent aty, ka gjasa maksimale të ketë marrë virusin. Kjo nënkupton se në dy javët në vijim qindra qytetarë që do të kërkojnë trajtim në spitale nga po të njëjtit mjekë, këshillat e të cilëve nuk po i respektojnë.”, shkroi Hoti në facebook.

Ai më tutje u shpreh se policia dhe inspektorati janë në terren për të mbikëqyrë zbatimin e masave, por ata nuk mund të na ruajnë nga vetja.

Sipas tij, secili nga ne duhet të jetë polic dhe inspektor.

“Kur shkoni në dyqan, në furrë, në restorant, në komunë, e kudo tjetër, të siguroheni se janë plotësuar kushtet që ju vetë të mos infektoheni dhe të mbroni të tjerët.”, shkroi Hoti.

Kryeministri më tutje kërkoi nga qytetarët që të respektojnë masat kundër Covid-19.

“Qëndroni në shtëpitë tuaja, festoni në familje, në mënyrë që të ruani familjen tuaj, miqtë dhe të tjerët. Qëndroni larg turmave, mbani maskën jashtë shtëpisë, e në veçanti në ambiente ku ka qytetarë. Mbani gjithmonë distancën prej dy metrash. Mos përshëndetni me dorë. Mbani higjienën dhe përdorni dezinfektues duarsh. Rrugë tjetër nuk ka, derisa nuk zbulohet vaksina.”, shkroi më tutje Hoti në facebook.

227 persona të prekur nga Covid-19 kanë vdekur në Kosovë, 8 mijë e 330 persona janë infektuar, ndërsa, 4 mijë e 578 janë shëruar./21Media

Back to top button